Aktualitet

Reforma e ujit, 12 bashki bashkohen në 3 ujësjellës!

Janë krijuar tre shoqëritë e para të ujësjellës-kanalizimeve në kuadër të reformimit të thellë të sektorit të ujit.

Bëhet fjalë për Durrësin, Korçën dhe Pogradecin. Në total ujësjellësit do të mblidhen në 15 shoqëri në të gjithë vendin. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku listoi edhe kriteret që do të ndiqen për ngritjen e tyre.

“Kemi bërë një analizë mbi kriteret dhe janë 3 kryesore dhe ka të bëjë me afërsinë gjeografike, burimet ujore ku janë dhe si shpërndahen dhe një kriter që ka të bëjë me numrin e abonentëve. Jo më pak se 25 mijë abonentë për një shoqëri të agreguar”, thotë Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës.

Këto ndërhyrje deklaroi ministrja Balluku do të ‘shkundin’ sektorin por synojnë përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.

 “Një tjetër problematike që kemi konstatuar gjatë analizës dhe që merr zgjidhje me reformën është çështja e investimeve. Investimet do jenë të plota duke nisur nga depo, rrjeti i shpërndarjes dhe deri të vendosja e matësve për çdo abonent. Tani fillon ankthi se çfarë do ndodhë me punonjësit etj. Asgjë nuk do të ndodhë, përveç faktit që transformimet e kanë një kosto fillestare sa i përket shkundjes së sistemit. Shkundjet nuk janë asnjëherë të këndshme pasi inercia na bën të akomodohemi me situatën.”

Problematikat e ujësjellësve dhe performanca e ulët e tyre ndër vite kanë bërë që shteti të marrë në dorë kontrollin e tyre duke zotëruar 51% të aksioneve.