Aktualitet Politikë

Reforma Zgjedhore, Gjiknuri: “Gati të ulemi me PD-në!”

Maxhoranca rikonfirmon gatishmërinë të ulet në komisionin e Reformës Zgjedhore, për të adresuar çështjet e mbetura ose të tjera, për të përmirësuar legjislacionin zgjedhor. Qëndrimin e shprehu sot në Elbasan, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri.

Komisioni i Reformës Zgjedhore ka një standard të ndjekur nga të gjitha palët, rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe amendimet e Kodit Zgjedhor. Mjafton të shikoni komisionin e ngritur në 2017-ën. Po ai objekt pune. Ata që duan të devijojnë nga ky objekt kërkojnë devijim të gjithë traditës së krijuar deri tani për komisionet bipartizane të Reformës Zgjedhore.

I pyetur mbi zhvillimet në PD, Gjiknuri tha se “luftën e kanë mes vetes”.

Qasja e PS-së ka qenë se ne nuk përzihemi në punët e brendshme të PD-së. Se kë do të kenë lider, atë e vendosin anëtarët e PD-së. Sa i përket kryeministrit, kjo çështje do të shtrohet pas 4 vitesh kur të shkojmë në zgjedhje.

Ndërsa lidhur me zgjedhjen e Presidentit të ri, Gjiknuri tha se “gjithmonë kemi synuar një president konsensual”.

Jemi të hapur edhe për propozime nga opozita, por kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi hapësirë për njerëz që mund të jenë mbi palët, për të gjetur një figurë konsensuale dhe patjetër që opozita ka një rol në këtë mes. Edhe kryeministri këtë e ka bërë të qartë në deklarimet e tij publike.