Aktualitet

Reforma zgjedhore, Gjiknuri zhvillon takim me Alibeajn dhe përfaqësues të ODIHR

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri zhvilloi sot një takim me kreun e Grupit Parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj dhe përfaqësuesit e ODIHR-it , në kuadër të diskutimeve për Reformën Zgjedhore.

Përmes një postimi në Facebook, Gjiknuri tha se diskutuan mbi procesin e reformës dhe angazhimin e përbashkët për të “rikuperuar” kohën e humbur.

“Bashkë me kolegun e opozitës Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e bashkëkryetarëve të Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës Zgjedhore, zhvilluam një takim me përfaqësuesit e ODIHR-it. Diskutuam mbi procesin e reformës, angazhimin e përbashkët për të rikuperuar kohën e humbur dhe ndihmën që do të mund të japë OSBE/ODIHR për komisionin”, shkroi Gjiknuri.

Më 9 qershor Kuvendi miratoi përbërjen e Komisioneve për Reformën zgjedhore dhe atë Territoriale. Komisioni përbëhet Komisioni nga 18 anëtarë, ku mazhoranca socialiste do të ketë 9 anëtarë, PD-ja 6 anëtarë dhe anëtarët e tjerë janë Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi dhe Petrit Vasili.

PS ka caktuar si bashkëkryetar Sekretarin e Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, ndërsa opozita i është përgjigjur në këtë pozicion me kreu e grupit, Enkelejd Alibeaj.