Rajoni

Refuzohet kërkesa e Thaçit për lirim të përkohshëm!

Hashim Thaçit i refuzohet kërkesa për lirim të përkohshëm nga paraburgimi në Hagë. Në njoftimin e dhënë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, refuzimi arsyetohet me një nen që ndër të tjera përfshin rrezikun nga arratisja, si dhe nga shkatërrimi, fshehja, ndryshimi ose falsifikimi i provave, krahas rrezikut të përsëritjes së veprës penale.

Gjykatësi i procedurës paraprake konfirmoi aktakzën për krime lufte e kundër njerëzimit ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi. Ata qëndrojnë në paraburgimin e Hagës e janë deklaruar të pafajshëm.

Ndërkaq, në Gjykatën e Lartë të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë dorëzojnë sot ankesat ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtesa. Kjo për moslejimin e kandidimit të disa kandidatëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare 14 shkurtit.

Gara iu refuzua emrave që rezultojnë të dënuar në tre vitet e fundit. Mes atyre që nuk u certifikuan është dhe kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, me anëtarë të forcës që drejton, si Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi e Labinot Demi-Murtezi. Krahas AAK-së partisë së Ramush Haradinajt, probleme ka dhe Nisma Socialdemokrate, të cilës nuk iu certifikuan 13 kandidatë.