Bota

Refuzohet reforma e pensioneve, përsëri protesta të dhunshme në Francë!

Nuk ndalen protestat e dhunshme kundër reformës së pensioneve në Francë. Një ditë më parë, mbi 1 milion njerëz protestuan në shtetin francez kundër planeve të qeverisë që nuk jep shenja tërheqjeje. Në kryeqytetin Paris, disa persona që mbanin maska të zeza u përplasën me forcat e policisë, pasi sulmuan të paktën dy restorante, një supermarket dhe një bankë.

Të goditur me bomba molotov e sende të forta, agjentët përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Një mjegull gazi lotsjellës mbuloi një pjesë të Pallatit të Operës, ku protestuesit u mblodhën në fund të marshimit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme u identifikuan rreth 1 mijë e 500 protestues të dhunshëm.

Dhuna shpërtheu edhe në marshime të tjera, veçanërisht në qytetet perëndimore të Nantes, Renes e Lorient e në këtë të fundit godina e një institucioni u sulmua, si dhe iu vu zjarri pjesës së oborrit të komisariatit të policisë.

Protesta të dhunshme pati edhe në qytetin Lion, në juglindje të Francës. Ministria e Brendshme franceze raportoi se në Paris, marshimi mblodhi 119 mijë njerëz, çka ishte një rekord për kryeqytetin gjatë protestave kundër reformës së pensioneve.

Sondazhet thonë se shumica e francezëve e kundërshtojnë projektligjin e presidentit Emmanuel Macron për të rritur moshën e daljes në pension nga 62 në 64 vjeç. Por, shefi i Elizesë shprehet se kjo rritje është e nevojshme për të mbajtur sistemin në këmbë.

Duke u mbështetur te pjesëmarrja e madhe, sindikatat kërkuan që me shpejtësi të ketë të tjera protesta dhe greva, të martën e 28 marsit. Ato përkojnë me kohën e vizitës së planifikuar të mbretit të Anglisë Charles III në Francë.

Pasi një natë më parë vizitoi zyrat qendrore të policisë, ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin dha garanci se siguria nuk përbën problem dhe sipas tij, monarku britanik do të mirëpritet. Komentet i bëri teksa vazhdonin protestat e dhunshme në disa lagje të Parisit.