Health & Beauty Music

Refuzoi vaksinimin anti-COVID, Offspring përjashton bateristin Pete Parada!

Offspring vendosi të dëbojë bateristin Pete Parada pasi refuzoi të bënte vaksinën anti-COVID.

Lajmin e bëri të ditur vetë muzikanti i cili prej 2007-ës është pjesë e grupit amerikan pop-punk. Madje, ai sqaron se vendimi vjen nga një këshillë mjekësore.

Parada vuan nga sindroma Guillain-Barrè, një sëmundje e sistemit nervor dhe është i ndërgjegjshëm se për njerëz si ai, rreziqet janë më të larta se përfitimet.

Bateristi bën të ditur se e ka kaluar COVID-in në formë të lehtë dhe shprehet se është në gjendje ta përballojë por ka dyshime se sa mund t’i mbijetojë sërish sindromës.

Vuaj që kur isha fëmijë e për fat të keq, simptomat janë përkeqësuar. Për shkak se nuk jam në gjendje t’i bindem atij që më shumë tingëllon si një detyrim i vendosur nga industria muzikore, u vendos se nuk është diçka e sigurtë që unë të lëviz apo të shkoj në studio me pjesën tjetër të grupit.

Mesazhin vendosi ta publikojë për të mbështetur ata që po kalojnë të njëjtën torturë, që ka të bëjë me izolimin kur lihesh mënjanë.

Offspring që në prill nxorri albumin Let the Bad Times Roll, ende nuk e ka komentuar çështjen ndonëse Pete e theksoi se nuk e ka me kolegët pasi pranon se në fund të fundit bënë zgjedhjen më të mirë për të ardhmen e grupit. Por nuk e fsheh se do t’i mungojë jashtëzakonisht shumë qëndrimi larg fansave.