Bota

Regjisori iranian hyn në grevë urie në shenjë proteste ndaj “veprimeve çnjerëzore”

Regjisori iranian Jafar Panahi, i cili aktualisht ndodhet në burg, ka hyrë në grevë urie për të protestuar ndaj veprimeve të paligjshme dhe çnjerëzore të gjyqësorit dhe forcave të sigurisë të Iranit.

Në një deklaratë të publikuar nga bashkëshortja dhe djali i tij në Instagram, Panahi deklaroi se do të refuzojë ushqimin dhe ilaçet dhe do të qëndrojë në këtë gjendje derisa të lirohet nga burgu.

Qeveria iraniane ka reaguar brutalisht ndaj protestave të qytetarëve, të nxitura nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini, kurdo-iranianes, sa ka qenë në mbajtje policore, me arsyetimin e nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.

Panahi u arrestua në muajin korrik.

Pak para arrestimit, ai nënshkroi një letër të hapur, së bashku me mbi 300 regjisorë iranianë, duke u bërë thirrje forcave të sigurisë t’i jepnin fund shtypjes së dhunshme ndaj protestuesve.

Që nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini, protesta të përditshme janë zhvilluar nëpër Iran, duke rezultuar në arrestimin e shumë njerëzve, përfshirë kineastët, figura publike, gazetarë dhe aktivistë.

Të paktën 522 persona janë vrarë përgjatë katër muajve të protestave kundër Qeverisë së Iranit, sipas raportimeve të organizatës HRANA me bazë në Shtetet e Bashkuara.

Në mesin e të vdekurve janë 70 fëmijë dhe 68 zyrtarë policorë, ka thënë organizata të dielën.

Gati 20.000 persona janë arrestuar, prej tyre 110 kanë akuza që mund të rezultojnë me dënime me vdekje.