Aktualitet

Regjistrohet shifra më e lartë e infektimeve në dy muaj, nuk ka humbje jete!

Numri i rasteve aktive me COVID në vend ka prekur shifrën e 198 personave, pasi u regjistruan 43 të infektuar në 24 orë.

Kjo është shifra më e lartë në dy muajt e fundit në vend.

Nga 3,526 testime të kryera kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, 43 qytetarë, 25 raste në Tiranë, 4 raste në Has, Elbasan, 3 raste në Durrës, Lezhë, 2 raste në Lushnje, 1 rast në Shkodër, Mallakastër.

Në Spitalin Infektiv po marrin trajtim spitalor të specializuar 6 pacientë, ndërsa prej ditësh nuk ka asnjë humbje jete nga koronavirusi.

5 qytetarë janë shëruar gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 130,086 që nga fillimi i epidemisë.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve të vaksinohen për t’u mbrojtur nga COVID-19, në çdo qendër shëndetësore dhe pikë vaksinimi kudo në vend. Shfrytëzoni ditët e hapura të vaksinimit deri të dielën, për t’u vaksinuar pa kufizim, nëse jeni mbi 18 vjeç”, shkruan ministria.

2,456 persona kanë ndërruar jetë nga covid që nga fillimi i pandemisë.

Ndërsa vijon vaksinimi i hapur për të gjithë qytetarët plus 18 vjeç, deri më tani janë kryer 1.078.114 vaksinime në të gjithë vendin.