Aktualitet

Reklamonin drogë dhe armë në rrjete sociale, prangosen në Shkodër babai me dy djemtë

Policia e Shkodrës ka arrestuar një 50-vjeçar së bashku me dy djemtë e tij në kuadër të operacionit të koduar ‘Investigation’. Mësohet se personat në fjalë reklamonin drogë dhe armë zjarri në rrjete sociale.

Blutë e qytetit kanë sekuestruar 2.3 kilogramë lëndë narkotike, një armë zjarri, fishekë luftarakë, dy celularë dhe një makinë. Në pranga kanë përfunduar Dy vëllezër 18 vjeç dhe 21 vjeç si edhe babai i tyre shtetasi që nga policia jepet me inicialet G.M., 50 vjeç, banues në fshatin Bardhaj.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shkodrës!

Finalizohet operacioni policor i koduar “Investigation”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Operacioni nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe “Shqiponjat”.

Reklamonin drogë dhe armë në rrjetet sociale, identifikohen dhe vihen në pranga 3 shtetas. Sekuestrohen 2.3 kg lëndë e dyshuar cannabis sativa, 1 armë zjarri, fishekë luftarak, 2 aparate celulare dhe 1 automjet.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, pas një pune investigative të pandërprerë për 2 vëllezër që shpërndanin video dhe foto të armëve dhe lëndëve narkotike në rrjetet sociale, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe “Shqiponjat” e DVP Shkodër, finalizuan operacionin policor të koduar “Investigation”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

F. M., 18 vjeç, E. M., 21 vjeç (vëllezër) dhe babai i tyre, shtetasi G. M., 50 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, Njësia Administrative Rrethina, Bashkia Shkodër.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e këtyre shtetasve u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 2 kg e 34 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 1 armë zjarri, fishekë luftarak, 2 aparate celulare dhe 1 automjet.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve“, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.