Bota

Rekord i zi për gazetarët e burgosur këtë vit, 488!

Ky vit po mbyllet me një numër rekord gazetarësh të burgosur në botë, 488 sipas Reporterëve pa Kufij. Në një deklaratë të organizatës jo-qeveritare me seli në Paris, thuhet se në 26 vitet e krijimit të saj, shifra nuk ka qenë ndonjëherë kaq e lartë.

Kryesojnë Kina me 127 gazetarë të burgosur, Mianmari me 53, Vietnami 43, Bjellorusia 32 e Arabia Saudite me 31. Në rastin e Kinës, numri i lartë i të burgosurve ka të bëjë me rritjen e kontrollit të Pekinit ndaj Hong Kongut.

Sa i përket Bjellorusisë, udhëheqësi autoritar bjellorus, Alyaksandr Ryhoravich Lukashenka , nisi fushatën brutale të shtypjes së lëvizjeve pro-demokratike dhe ndaj mediave të pavarura, në kohën kur në vend u organizuan shumë protesta pas rizgjedhjes së tij të kundërshtuar, në gusht të vitit 2020. Shumë më tepër gra se burra u arrestuan e kjo ndodhi për shkak të “përfundimit të tolerancës patriarkale të autoriteteve bjelloruse, që u zunë në befasi nga roli i grave, prej kohës së nisjes së protestave.
Në 12 muaj janë 46 njerëz të medias të vrarë, numri më i ulët në 20 vitet e fundit.

Në rënien e numrit të viktimave në radhët e njerëzve të medias për këtë vit, ndikuan zhvillimet më pozitive në konfliktet rajonale në Siri, Irak e Jemen. Ndërkaq, Meksika e Afganistani mbeten vendet më të rrezikshme për gazetarët në 2021-shin, me respektivisht 7 e 6 viktima. Në territorin afgan, autorë të tyre janë persona të lidhur me Shtetin Islamik e vetë talebanët e rikthyer në pushtet në muajin gusht. Por, bie në sy neglizhenca për t’i ndëshkuar agresorët, madje pavarësisht zotimeve, nuk veprohet konkretisht.

Pas tyre vijnë Jemeni e India, secili me nga 4 gazetarë të vrarë. Sa i përket grave gazetare të vrara, në vitin që po lemë pas ishin 4, 2 më shumë se në 2020-ën.