Auto & Moto Tech Travel

Rekordi i radhës vjen nga aeroplani më i madh në botë!

I mundësuar nga gjashtë motorët e tij, aeroplani më i madh në botë, ‘The Roc’ u ngrit së fundmi nga Porti Ajror dhe Hapësinor Mojave në Kaliforninë juglindore duke thyer një tjetër rekord fluturimi për një aeroplan me këto përmasa. Aeroplani fluturoi për gjashtë orë rresht përpara se të zbarkonte në të njëjtin aeroport.

I ndërtuar nga Stratolaunch, ‘The Roc’ është një aeroplan me një hapje krahësh më të gjatë se një fushë futbolli. Megjithatë, aeroplani nuk mund të mbajë ngarkesa të rënda, por po testohet të bëjë diçka shumë të ndryshme, të shërbejë si një platformë për testimin e ngarkesave hipersonike.

Ky është fluturimi i nëntë i testimit për kompaninë, por ishte vetëm fluturimi i dytë testues ku mbajti lart mjetin testues hipersonik Talon-A, një pjesë e rëndësishme e planeve të saj për të filluar testimin hipersonik më vonë këtë vit. Talon-A është një mjet testimi i ripërdorshëm me fuqi raketash që është 8,5 metra i gjatë dhe ka hapje krahësh 3.4 metra.