Dilema Sociale Sociale

Rëndësia e vaksinimit dhe të vërtetave, që aq vështirë e kanë të ngrenë krye

Pak ditë më parë në Top Albania Radio, Dr. Alketa Hoxha dha një intervistë të gjatë për rëndësinë e protokollit të vaksinave në vendin tonë (Dilema Sociale), se sa nevojë ka të mos vazhdojë promovimi i tezave konspirative për dëmin dhe lidhjen e pretenduar me sëmundje të tjera.

Por siç ndodh gjithmonë e më shumë fatkeqësisht, një titull sensacional (edhe pse jashtë kontekstit) ka më shumë rëndësi se përmbatja, duke shtrembëruar deklaratën e Dr. Hoxhës.  E kujt i duhet se kush dëmtohet, apo sa shumë, mjaft të shohim rritje klikimesh.

1. Pse ka një shtyrje përgjithësisht rreth informacionit të vaksinave, gjithmonë e më shumë një rezistencë për ta akumuluar?

– Në fakt po të kthehemi pas në histori kjo pjesa e vaksinës nuk ka qenë aq e lashtë saç ka qenë periudha kur janë shpikur vaksinat. Nuk është e vërtetë lidhja e vaksinës nga ana mjeksore sepse unë këtu nuk vij vetëm si mjeke po vij si një njeri që jam një luftëtare e padiskutuar për vaksinat. Në një temë tjetër mund ta shtjelloj më hollësit këtë gjë, gjithmonë në lidhje me autizmin.

2. Pse vazhdimish ka një rezistencë ndaj vaksinave?

– Rezistenca e parë që ka filluar ndaj vaksinave ka patur lidhje vetëm me këtë, pra fakti që në disa raportime të cilat nuk kanë qenë mjekësore ka patur elementë të cilët lidhnin vaksinat e vitit të parë të jetës me shfaqjen e autizmit. Në të gjitha studimet madhore nuk është vërtetuar një qasje e tillë. Ajo e cila vihet re midis vitit të parë dhe të dytë të jetës së një foshnjeje është fakti që ky fëmijë tashmë fillon të bëhet individ. Ai ngrihet në këmbë, fillon të flasë, ka botë emocionale, sociale, të folurit, të qeshurit, lojën me lodrat dhe çdo vonesë në zhvillim koincidon që ajo mund të jetë një vonesë normale që nuk ka lidhje fare me faktin që është vendosur vaksina në atë ditë. Ndodh që kjo lidhje e gabuar është ajo e cila në këtë periudhë ka çuar në një konkluzion të tillë, absolutisht jo të vërtetë.

Vetëm 1 fjalë, nëse ne do të shikojmë ritmet e vaksinimit, ne nuk po i marrim me zor fëmijët nga shtëpitë që t’i vaksinojmë, janë prindërit që i sjellin dhe ritmet e vaksinimit në moshën deri parashkollor e 6-të vjeç në Shqipëri janë jashtëzakonisht të mirë. Numri i prindërve, teorikisht në sondazh të shprehin dyshimet e tyre por që praktikisht ata i vaksinojnë fëmijët sepse shohin trendin që në kohën që unë kam qenë studente dhe unë i kam kaluar të 50-at. Ne nuk kemi parë asnjë rast të poliomelisë që është një sëmundje që të penalizon dhe në aspektin fizik. Duhet tja tregojmë që t’i shohin. Ne s’kemi kolerë, ne s’kemi murtajë, kush i zhduku këto? Kjo është një mrekulli e 8-të e botës së vaksinimit.

 

3. Pse duhet të kemi një protokoll vaksinimi ndryshe nga vendet e tjera?

– Sepse protokollin e vaksinimit për të gjithë prindërit e vendos kush është trendi i sëmundshmërisë së një vendi. Unë them se jam nga Kolonja, sa kalon Gramozin nuk bëhet tuberkulozi, kthehesh në këtë krah bëhet tuberkulozi. Pse? Sepse ka një politikë epidemiologjike shtetërore që vlerëson sa raste me tuberkuloz kam brenda një vendi që mund të më riskojnë të porsalindurit për këtë arsye protokollet bëhen nëpërmjet një komiteti etik edhe një këshilli i cili ka një përgjegjshmëri shumë të lartë në lidhje me sëmundshmërinë që ka një vend. Nuk mund të jetosh këtu dhe të bësh protokollin e Amerikës. Këto janë bisedat që ne bëjmë më shumti me prindërit, pasi fëmija që jeton këtu dhe ndjek protokollin e Amerikës pasi prindërit duan t’a ndjekin dhe kanë mundësinë ekonomike për gjithë ato vaksina, shpeshherë të panevojshme për një vend si ne sepse ne nuk kemi të njejtën sëmundshmëri si atje atëherë ai fëmijë do të rritet në çerdhe me fëmijën tim ose tëndin i cili është vaksinuar ndaj këtij kalendari që tregon sëmundshmërinë e një vendi si ne.

 

4.Kush janë vaksinat më të panevojshme të cilat vetëm për shkak se qenkan në një protokoll amerikan i bëjnë? Cilat janë?

– Ne nuk kemi të njejtat sëmundje si ata, për shembull ne Hepatitin A nuk e kemi në epidemiologji për këtë arsye nuk kemi pse ta vendosim, ndërsa kur shkon në Amerikë ty të kërkohet pasi atje e kanë të përfshirë në kalendar. Edhe në Amerikë, në varësi të zonave në të cilat ti shkon do t’i nënshtrohesh vaksinave të kalendarit të tyre. Nëse ti shkon nga Shqipëria në Afrikë të kërkohen të tjera. Vaksinimi është art, shpikja e vaksinës dhe aplikimi tek njerëzit është një përgjegjësi shumë e madhe se edhe antibiotiku që aplikohet vetëm 3 ditë. Të gjithë këta njerëz vlerësojnë çdo ditë pikat më të nxehta a nuk doli Ebola? Atëherë e gjithë bota u fokusua tek gjetja e vaksinës ndërsa ne ishim të qetë sepse ishte shumë larg. Edhe në rastin e Covid-it mundësia për tu izoluar dhe përhapja nëpërmjet spërklave dhe ajrit bëri të mundur që të përfshijë të gjithë botën.

 

5. Përse prindërit shtyjnë bërjen e vaksinave të fëmijëve?

– Prindërve duhet tu bëhet kujtesa e radhës. Nga ana shkencore sesi trupi mbledh antitrupat dhe i prodhon dhe kur ato fillojnë të bien duhet të bëhet kujtesa e radhës. Por, nëse fëmija do të ketë një periudhë viroze atëhere shtimi ose shtyrja prej 10 ditësh derisa ta kalojë, atëhere shtyhet. 

 

6. Pse vaksinat i kemi me detyrim?

– Vaksinat nuk janë me detyrim, vaksinat janë me dëshirë por unë po të deklaroj këtu që unë nuk do të vizitoj kurrën e kurrës një fëmijë i cili nuk vaksinohet. Kjo sepse, në momentin që ky fëmijë i pa vaksinuar vjen për vizitë tek unë, aty ngjitur mund të kem një fëmijë i cili mund të ketë larg qoftë një sëmundje siç është leucemia ose ndonjë sëmundje tjetër problematike edhe tek fëmijët atëhere ky fëmijë që ka shpëtuar nga sëmundja bazë të marri një virozë apo sëmundje tjetër nga një fëmijë që nuk është vaksinuar është fatale dhe vdekjeprurëse. E zëmë se tek një familje ka një fëmijë parashkollor të pavaksinuar dhe nëna më vonë lind fëmijën e dytë, ai fëmijë i cili është i pavaksinuar i sjell fëmijës së vogël dhe ne kemi raste të ‘kollës së mirë’ siç thotë populli. Midis moshës 0-2 muajshe kjo vaksinë nuk bëhet tek foshnjet sepse kështu e ka protokolli dhe nuk e ke idenë sa raste ka që përfundojnë në reanimacion, me oksigjen dhe të intubuar me një kollë pse? Sepse fëmija parashkollor që ka qenë në një grup me të tjerë ja ka sjellë vëllait apo motrës të porsalindur. Pra shiko çfarë përgjegjësie! Vaksinimi nuk është përgjegjësi vetjake, është përgjegjësi nacionale për të gjithë botën.

 

7. Ku ndahet një rezistencë e mjekëve të cilët veprojnë po njësoj? (Ata që punojnë në shtet vs ata që punojnë në privat)

– Unë nuk dua që ta pranoj por po e mar të mirëqenë këtë që po thoni, e vemja gjë që bën ndarjen është vetëm ndërgjegja profesionale e mjekut. Në këtë rast nuk mund të vendosësh absolutisht asnjë lloj ndarje tjetër. Pra, është mjeku dhe vetëm mjeku i cili gjen kohën e mjaftueshme që ta bindi dhe faktet janë kaq të mëdha që vërtetojnë mirësinë e vaksinave. Ka prindër që thonë jo unë nuk dua tja bëj vaksinën dhe më pas fëmija sëmuret me poliomelit. E di çfarë do të thotë poliomelit? Që fëmija do të ecë me paterica gjithë jetën. Mendoni se këto sëmundje që vaksinimi na i ka zhdukur janë thjeshtë një grip që rri 3 ditë në shtrat dhe nesër bëhesh mirë? Më e madhja të merr jetën ose tjetra të lë sakat për gjithë jetën e kështu me radhë sepse nuk dua të tremb njerëzit që po na dëgjojnë.

 

8. Kur ti thua vaksinë, prindërve u shkon mendja vetëm tek gjilpërat dhe thonë unë duhet të shpoj fëmijën tim edhe një herë dhe përpiqen të gjejnë një alternativë tjetër. 

– Ky është i vetmi fakt që unë nuk e kundërshtoj dot. Sepse normalisht fëmijët patjetër duhet të shpohen që ta bëjnë vaksinën por mbrojtja që merr është më e mirë. Po kthehem prap me një shembull, poliomelitit i hidhnin 2 pika në gojë sepse kështu ka qenë metoda dhe ishte me viruse të gjalla të dobësuara që po qe se imuniteti i fëmijës mund të ishte i dobësuar në vend që t’i shkaktonin mbrojtje i shkaktonin sëmundje. Më pas u pa që poliomeliti në formë të injektuar kishte mbrojtje për të gjithë jetën. Atëhere një vaksinë e cila tashmë për arsye të zhvillimit të madh që ka formi dhe ndërtimi i vaksinave tani ke 6 sëmundje në 1 shpim, më shumë se kaq çfarë mund të kërkosh? Fëmija nuk ka memorie që të thotë obobo vaksina dhe ta mbajë mend. 

 

9. “Imuniteti i Turmës”, sa lidhet kjo kur flasim për fëmijët?

– Për mua në moshën fëminore nuk duhet të ekzistojë, për mua duhet të ekzistojë vetëm vaksinimi për sëmundje të shpeshta, më vdekjeprurëse apo patologji të tjera shkaktuese të cilat përfshijnë vendin tonë. Vetëm kjo do t’i bëjë këta fëmijë të rriten të shëndetshëm dhe kur të arrijnë në adoleshencë flasim pastaj për imunitetin e tufës.

 

10. Imuniteti i turmës gjatë muajve të parë të Covid-it bëri që disa shtete të hyjnë në masa ekstreme izolimi si Suedia apo dhe Anglia që e provoi. Më pas janë grupet e ekspertëve dhe të mjekve se si vazhdojnë dhe çfarë masash marrin me njerëzit. 

– Personalisht mendoj që, nëse sëmundja do të ishte mesatare jo me këtë ashpërsi mund të ishte i pranueshëm për shkak se vaksina kërkon kohën e vet. Aktualisht nuk jam pro imunitetit të tufës por jam pro vaksinimit dhe kjo e mbyll këtë situatë. Tek fëmijët nuk e pranoj kurrsesi imunitetin e tufës.

 

11. Fakti që pak muaj më parë u tha se vaksina e tuberkulozit lufton Covid-in bëri që shumë prindër të vinin nga jashtë dhë të bënin vaksinën ndërsa vaksinën e gripit sezonal mezi e gjeje në farmaci ama kur vjen vaksina e 1-vjeçit të gjithë kanë pikëpyetje të brendshme!

– Ne jemi nga ato pak vende të botës që vaksinohemi për tuberkulozin dhe kjo për arsye të epidemiologjisë që kemi e cila rezultoi në Covid që na mbronte dhe njerëzit u ndërgjegjësuan. Erdhi periudha e vaksinës së gripit që vërtetë ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe ne e këshillojmë dhe ky ndërgjegjësim që erdhi ishte shumë i mirë. A po i sqarojmë prindërit neve ashtu siç duhet për mos lidhjen midis vaksinës së vitit të parë dhe autizmit? Këtu tani e kthej gishtin nga vetja ime duke menduar që unë përfaqësoj mjekët që merren me këtë punë. Shikoni këtë periudhë, shikoni sëmundshmërinë, shkoni në urgjencën e pediatrisë jo vetëm në Tiranë por në të gjitha rrethet ku janë radhët me 500-600 vizita që prisnin fëmijët, ku janë? Do të thotë që vaksinimi, ruajtja e kontaktit shumë të afërt siç e kemi patur për natyrë, spërklat, duart e palara prap nuk patëm asnjë disanteri asnjë diarre tek pediatria që do të thotë, masa kaq të thjeshta na mbrojnë jo vetëm nga Covid-i por ndryshojnë sëmundshmërinë dhe ne prindërit jemi dëshmitarë së bashku me pediatrit.

 

12. Përse njerëzit gjejnë rrugë të ndërmjetme për të gjetur vaksinën dhe jo direkt nëpër qendra spitalore? 

– Të gjithë prindërit që e mendojnë vaksinën i përshëndes dhe i bëj një uratë të plotë. Mënyra se si ata duan ta marrin në shtet apo në privat për faktin e thjeshtë që të dyja shërbimet në Shqipëri ekzistojnë që i ofrojnë prindërve në kohën që duhet, vaksinën janë që të dyja të lavdërueshme dhe padiskutim të mirëpritura. Pra, 1 vaksinimi dhe 2 pasja në kohë e vaksinave sipas kalendarit. Këto janë elementët më të rëndësishëm, zgjedhja pastaj e vaksinës sigurisht ka të bëjë me ndryshimet e veta. Prandaj, futja e një vaksine të re në kalendarin shtetëror është një efort i madh ekonomik dhe për këtë arye kalendari shtetëror vit pas viti është përmirësuar shumë. Por ama prindërit kërkojnë diçka alternative më ndryshe dhe për këtë arsye janë të mirëpritur që të dyja sektorët publik dhe privat. Të gjithë fëmijët kanë të drejtën në këtë vend sipas mundësisë ekonomike që ka prindi të marri të njejtin shërbim qoftë në sektorin publik qoftë në privat. Thelbi është që prindërit t’i çojnë ata për të bërë vaksinën.

 

13. Pse skepticismi publik na bën që të kërkojmë vaksinën më të shtrenjtë që e quajmë më cilësore?

– Nuk e di fjalën shumë të shtrenjtë sepse pak kompani vaksinash ka në botë dhe ata i shesin për këdo me të njejtin çmim. Nuk ka kuptim fjala i lirë ose i shtrenjtë sepse më e rëndësishmja do të ishte sikur prindi të thoshte, këtë vaksinë që unë po e blej si u transportua në Shqipëri? Ku ruhet në Shqipëri? 

 

14. Disa njerëz mendojnë se po ta marrësh vaksinën jashtë shtetit është më mirë se ta marrësh nga sektori publik (vaksina e vitit të parë)

– Ekzaktësisht për vaksinën e vitit të parë sistemi privat nuk e ka sepse ata kanë bashkëpunim me shtetin dhe ajo vaksinë që ishte tek privati ajo aplikohet në shtet. Ajo që dua të të pyes unë është si erdhi kjo vaksinë nga Austria? Në çfarë temperature erdhi? Por s’dua të të temb si prind i ri që je. Shteti ka përgjegjësi për gjithë këto gjëra, për ruajtjen e temperaturës dhe lëvizjen e dritës deri në ditën apo orën kur fëmija do të marrë këtë vaksinë.