Bota

Rëndohet bilanci, mbi 1 mijë viktima nga tërmeti në Afganistan!

Rëndohet bilanci tragjik i tërmetit në Afganistan. Ndërsa në terren vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, nga të dhënat më të fundit rezulton se mbi një mijë persona kanë humbur jetën dhe 1 mijë e 500 janë plagosur nga lëkundja e fuqishme me magnitudë 5.9 Rihter që në orët e para të mëngjesit goditi juglindjen e Afganistanit, pranë kufirit me Pakistanin.

Sipas Institutit Gjeofizik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tërmeti u regjistrua 44 km në jugperëndim të Khostit, në thellësinë 10 km. Dridhja e tokës u ndje edhe në Pakistan e Indi, përveçse në Afganistan. Shumë njerëz ishin duke fjetur, duke mos iu dhënë mundësia të kuptojnë menjëherë atë që po ndodhte.

Agjencia shtetërore e lajmeve “Bakhtar” që raportoi detajet paraprake, tha se ekipet e shpëtimit po shkonin me helikopter. Në një postim në Twitter, një zëdhënës i qeverisë afgane, shkruante:

Një tërmet i fortë tronditi katër rajone të provincës Paktika, duke vrarë dhe plagosur qindra bashkatdhetarë e shkatërroi dhjetëra shtëpi. Ne u bëjmë thirrje të gjitha agjencive të ndihmës së shpejtë që të dërgojnë menjëherë ekipe në zonë, për të parandaluar katastrofën e mëtejshme.

Departamenti Sizmologjik i Pakistanit deklaroi në fillim se magnituda ishte 6.1 dhe lëkundjet u ndjenë deri në kryeqytetin pakistanez, Islamabad e në provincën lindore të Punjabit.

Agjencia Europiane Sizmologjike, EMSC, tha se lëkundjet e tërmetit u ndjenë mbi 500 kilometra nga më shumë se 119 milion njerëz në të gjithë Afganistanin, si dhe në Pakistan e Indi.