Bota

Rëndohet situata në Sudan, 100 viktima e mbi 1 mijë të plagosur!

Dhuna përfshin gjithë Sudanin, gati 100 viktima, me luftimet mes fraksioneve të armatosura rivale që vazhdojnë të përhapen. Përplasja ndërmjet ushtrisë e një grupi paraushtarak të quajtur Forcat e Mbështetjes së Shpejtë, tashmë ka hyrë në ditën e tretë. Gati 100 njerëz janë vrarë, thanë mjekët, ndërsa numri i të plagosurve ka kaluar 1 mijë e 100.

Palët pretendojnë se kontrollojnë vendet kryesore në kryeqytetin sudanez Kartum. Një ditë më parë ato shpallën një armëpushim të përkohshëm për të lejuar evakuimin e të plagosurve, por nuk është e qartë se sa iu  përmbajtën. Mjekët thonë se në spitalet e Kartumit situata është jashtëzakonisht e vështirë dhe luftimet janë duke penguar personelin e furnizimet mjekësore që të shkojnë te të lënduarit.

Dy figurat në qendër të kësaj janë Abdel Fattah al-Burhan, lider i Këshillit Sovran qeverisës dhe Mohamed Hamdan Dagalo, nënkryetar i Këshillit e drejtues i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë. Ata nuk kanë dakordësi për mënyrën si shteti afrikan duhet të qeveriset nga civilët dhe jo më nga ushtarakët. Mosmarrëveshjet kryesore kanë të bëjnë me planet për t’i përfshirë Forcat e Mbështetjes së Shpejtë në ushtri dhe me pjesën se kush do ta drejtojë më pas forcën e re.

Sudani udhëhiqet nga gjeneralët që nga koha kur presidenti autoritar, Omar al-Bashir u rrëzua në një grusht-shteti në vitin 2019.

Mëngjesin e sotëm, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë raportuan se kanë pushtuar disa vende të rëndësishme në kryeqytetin Kartum, përfshirë Pallatin Presidencial, si dhe qytetin fqinj Omdurman e Aeroportin Merowe në veri të Sudanit. Por, sipas disa njoftimeve të tjera, ushtria e rimori kontrollin e aeroportit.

Ushtria hedh poshtë njoftimet se Forcat e Mbështetjes së Shpejtë kanë marrë pika kyçe në kryeqytet, ndërsa dëshmitarët i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se ushtria po përparon, pas goditjes me sulme ajrore të bazave të grupit rival.

Komuniteti ndërkombëtar kërkon t’i jepet fund dhunës menjëherë. Shtetet kryesore arabe dhe Amerika bënë thirrje për bisedime që do të çonin në rivendosjen e një qeverie civile, ndërsa Bashkimi Afrikan ka njoftuar se po dërgon kryediplomatin e tij, Moussa Faki Mahamat në Kartum, në përpjekje për të negociuar një armëpushim. Edhe Egjipti e Sudani i Jugut janë ofruar si ndërmjetësues mes fraksioneve.