Aktualitet Politikë

Replika Berisha-Balla në Kuvend!

Në seancën plenare të Kuvendit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se “rezoluta për krimet serbe në Kosovë ka tre javë që pret të shqyrtohet”.

Nuk keni absolutisht asnjë tagër përveç mosluajalitetit të plotë të këtij Parlamenti, të silleni në këtë mënyrë. Ju po shkruani rregulloren e Kuvendit, ju kryeni krim sepse po shkelni ligjin e Parlamentit. Aty përcaktohet qartë se cili është qëndrimi që mbahet ndaj rezolutave. Brenda tre ditëve nga data e depozitimit, ajo shqyrtohet nga Kuvendi. Rezoluta për krimet serbe në Kosovë ka tre javë që pret të shqyrtohet.

Duke iu drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, Berisha tha:

Parlamenti nuk është dyqani yt, ti nuk ke as konceptet më elementare. Ligji parashikon që Kryesia ta sjellë në sallën e Parlamentit çështjen, jo në komisione. Ju po e trajtoni Parlamentin në mënyrën më primitive, në mënyrën më të padenjë. Po e trajtoni sipas urdhrave që merrni nga Edi Rama! Ju po rrisni shkallën e konfliktualitetit në Parlament. Nuk ka kush të drejtë të shkelë të drejtat e deputetëve në Kuvend. Pse ju djeg dënimi i genocidit serb në Kosovë? Kjo është antikushtetuese dhe antiligjore!

Po në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla akuzoi Berishën se sipas tij, “kërkon të përdorë çështje të rëndësisë kombëtare, për qëllime personale”. Duke replikuar, Balla rikujtoi atë që e cilësoi “bashkëpunimin e vjetër të Berishës me Sllobodan Millosheviçin në thyerjen e embargos dhe furnizimin e makinerisë së Millosheviçit me naftë kontrabandë”.

Zotëria që zgjohet vonë dhe vjen këtu, të na rikujtojë bashkëpunimin e tij të vjetër me Sllobodan Millosheviçin në thyerjen e embargos dhe furnizimin e makinerisë së Millosheviçit me naftë kontrabandë e që kërkon të përdorë çështje të rëndësisë kombëtare për qëllime personale, natyrshëm që Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të bëhet pis.

Unë jua thashë para disa javësh kur ramë dakord për rezolutën për genocidin në Srebrenicë dhe besoj se të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar që, kur ne të mblidhemi këtu në datë 7 korrik për të kujtuar viktimat e genocidit të Srebrenicës, zotëria ka thirrur protestë. Besoj se e kuptoni të gjithë sinqeritetin që ka bashkëpunëtori i Millosheviçit dhe UDB-së për çështje që lidhen me interesin kombëtar.