Aktualitet

Replika Tabaku-Rama për rregullimin e çmimeve!

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku i kërkoi qeverisë të japë përgjigje se çfarë po ndodh me tregun e karburanteve, duke kërkuar të mos ekzistojnë më bordet për rregullimin e çmimeve. Përgjigjen e mori nga kryeministri Rama, i cili tha se “në Shqipëri është niveli i inflacionit më i ulët se në vendet e tjera të rajonit”. Sa i përket çmimit të naftës, Rama deklaroi se “është më i larti në rajon, por kemi taksa të ulëta dhe barra duhet të shpërndahet në kohë krize”. Ndër të tjera, shefi i qeverisë iu referua Bordit të Transparencës si komunist, dhe se në kushtet normale ky bord nuk duhet të ishte, por në kohë krize na duhet.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi në Kuvend se “bordet e transparencës janë metoda komuniste të regjimit hoxhist”.

Bordet janë si shushunjat të cilat po i pijnë gjakun, po u boshatisin xhepat, po u nxijnë jetën qytetarëve, po i fusin në depresion me çmimet stratosferike si askund tjetër në Europë dhe në botë në mënyrë më të pamëshirshme, vetëm e vetëm për të mbrojtur qeverinë dhe oligarkët e saj.

Deputeti socialist, Erion Braçe i kërkoi qeverisë që të merret me çmimin e grurit dhe nëse kjo i duket komuniste, të blejë grurin e fermerëve në mënyrë që të garantohet mbjellja për sezonin e ri.

I kërkoj qeverisë që të merret me analizimin e kostove dhe të rregullojë çmimin për secilin grumbullues. Në rast se nuk do ta bëjë këtë se quhet komuniste, të bëjë gjë tjetër, të blejë grurin e fermerëve për të garantuar mbjelljen e sezonit të ri. Nëse është problem Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, nuk ju ndihmoj dot se kam që në 2018 që flas për TVSH-në e bujkut. Qeveria t’i japë zgjidhje çmimit të grurit tani.

Seanca e sotme plenare në Kuvend nisi me debate ndërmjet maxhorancës dhe opozitës në lidhje me Komisionin për Investimet Strategjike. Konferenca e Kryetarëve rrëzoi kërkesën e deputetëve demokratë për ngritjen e këtij komisioni. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se “rendi i ditës nuk e përmbante këtë pikë” dhe shtoi se “maxhoranca e ka futur sot në mënyrë të befasishme”. Por, kryeparlamentarja Lindita Nikolla deklaroi se “ishte përcaktuar”. Kuvendi rrëzoi kërkesën për komisionin hetimor për investimet strategjike.