Bota

Reportazhi për taksat, Donald Trump padit mbesën e “New York Times!”

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump padit mbesën, Mary Trump dhe gazetën “New York Times” lidhur me një reportazh të vitit 2018 për gjendjen e tij financiare e fiskale.

Ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë i akuzon se u angazhuan në një komplot tinzar, për të siguruar akses në dokumente të rezervuara dhe se vepruan për hakmarrje personale.
Donald Trump denoncoi gazetarët Susanne Craig, David Barstow e Russell Buettner, të cilët në 2019-ën fituan Çmimin Pulitzer, pikërisht për atë reportazh të bazuar në dokumente fiskalë e financiarë të rezervuar, që i përkisnin Trump-it. Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, asnjëherë nuk ka dashur t’i bëjë publikë.

Po roli i mbesës së ish-presidentit?

Psikologe dhe autore, Mary Trump, 56-vjeçe akuzohet se iu dorëzoi dokumentet gazetarëve. Ajo është vajza e Fred Trump Junior-it, vëllait të Donald-it dhe vitin e kaluar publikoi librin me titull: “Si krijoi familja ime njeriun më të rrezikshëm në botë”. Aty pohon se ishte “burimi” sekret që kaloi të dhënat financiare te “New York Times”, përfshirë deklaratat e të ardhurave të Fred Trump-it, gjyshit të saj. Mary Trump është deklaruar lesbike e ka bërë të ditur se për shkak të homofobisë në familjen Trump, këtë gjë e mbajti të fshehur për shumë koha nga frika e reagimeve të familjarëve, me shumë prej të cilëve është përplasur më pas edhe në gjykata për pasurinë. Ajo është nënë e një vajze, me të cilën jeton në Long Island të Nju Jorkut.

Babai i Mary-t, Fred Trump Junior ndërroi jetë 40 vjet më parë, si pasojë e një infarkti kardiak të shkaktuar nga fakti që ishte i alkoolizuar.  Ajo njihet si kritike e fortë e xhaxhait. Në presidencialet amerikane të 2016-ës mbështeti hapur kandidaten demokrate Hillary Clinton dhe pas trazirave të janarit të këtij viti në Kongres, kërkoi që Donald Trump-it t’i ndalohet në mënyrë përfundimtare mbajtja e ndonjë funksioni publik në SHBA.