Aktualitet

Reshje bore, por nuk ka rrugë të bllokuara me përjashtim të Qafë Murrizës/Orët në vijim më të ftohta!

Ndërsa qarku i Dibrës është përfshirë nga reshje të dendura dëbore, drejtuesit e automjeteve që lëvizin në drejtim të Tiranës e anasjelltas nëpërmjet bajpasit të Qafës Murrizë, informohen për bllokimin e këtij aksi. Kjo është e përkoshme, deri në pastrimin total nga firma kontraktore. Shoferëve iu kërkohet të ndjekin rrugën Klos-Burrel-Ulëz e të mos shkaktojnë trafik. Bulqizë-Peshkopi e Bulqizë-Klos janë të kalueshme, por mos qarkulloni pa goma dimërore.

Në një njoftim mbi gjendjen e akseve kombëtare, Autoriteti Rrugor Shqiptar, bën të ditur se nuk ka probleme në qarkullim edhe pse gjatë natës pati reshje shiu e dëbore në zonat malore. Eshtë fjala për rrugët Boboshticë-Dardhë, Qafë Thanë-Kapshticë, Fushë Stude-Klenjë, Bajram Curri-Valbonë, Kukës-Ura e Zapodit, Qafë Mali-Fierzë, Dedaj-Razëm-Bogë, Kuben-Vasije, Qafë Qelë-Pukë-Fushë Arrëz-Fushë Dukagjin. Kontraktorët kanë punuar me mjete borëpastruese për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës.

Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se në segmentin Qafë Mali-Fushë Dukagjin, Kukës vazhdon puna për pastrimin nga bora dhe shpërndarjen e kripës. Sipas ARRSH-së, grupet e punës dhe mjetet borëpastruese janë në terren dhe po pastrojnë rrugën. Autoriteti njoftoi se rruga është e kalueshme pa zinxhir dhe apelon që drejtuesit e makinave të bëjnë kujdes në lëvizje, duke respektuar sinjalistikën rrugore.

Autoriteti Rrugor Shqiptar informon drejtuesit e automjeteve se “gjatë orëve në vijim priten temperatura të ulëta deri në -17°C në zonat malore. Për këtë arsye duhet të bëjnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore, të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë e goma dimërore, gjithashtu, të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.

Një sistem i fuqishëm vranësirash do të përfshijë sot të gjithë territorin duke sjellë shira të paktë në Ultësirën Perëndimore, si edhe dëbore në zonat malore. Orët vijuese sjellin rënie të menjëhershme të temperaturave duke bërë që reshjet e dëborës të zbresin deri pranë zonës së ulët. Aktualisht, temperaturat variojnë nga -3 deri në 9 gradë celcius.