Aktualitet

Reshjet e dëborës bllokojnë rrugën e Arbrit!

Reshjet e dendura të dëborës në zonat malore të Dibrës kanë bllokuar rrugën e Arbrit, bypass-in Qafë Murrizë. Policia apelon që drejtuesit e mjeteve që shkojnë në drejtim të Tiranës të përdorin rrugën alternative Klos-Burrel-Ulëz. Subjekti kontraktor po punon për mirëmbajtjen, pastrimin dhe hapjen e rrugës. Njëkohësisht, Policia Rrugore apelon që të gjithë drejtuesit e mjeteve të  kenë kujdes të shtuar në drejtim, të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes me shpejtësinë e të mos bëjnë manovra të rrezikshme.

Në Krujë, malet janë mbuluar nga dëbora, që arrin deri në 15 cm trashësi. Aktualisht, rruga për Qafshtamë është e kalueshme vetëm me zinxhirë. Sa i përket lumenjve, niveli i tyre u rrit ndërsa deri tani nuk paraqesin problem. Ndërkohë vijon problematika me energjinë elektrike. Disa fshatra kanë mbetur pa drita për shkak të dëmtimit të linjave ekzistuese.

Edhe Llogaraja në Vlorë është përfshirë nga reshjet e borës gjatë natës. Borëpastrueset dolën menjëherë në terren duke pastruar e kriposur rrugën që të mos krijohen problematika në qarkullimin e mjeteve.

Në Lezhë, moti i keq me reshje shiu intensive ka lënë pas dëme të konsiderueshme në banesa dhe biznese, të cilat u përmbytën një ditë më parë. Ndërkohë, u pezullua mësimi në shkollat “Gjergj Kastrioti” dhe “Besëlidhja”, që nga dje janë nën “pushtetin” e ujit.

Për sot, parashikimet janë për reshje mesatare në të gjitha qarqet e vendit e deri lokalisht intensive në Vlorë. Reshjet priten të shoqërohen edhe me shtrëngata. Në lartësinë mbi 600 m mbi nivelin e detit, janë në formë dëbore.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, IGJEUM, “si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë do të ketë rritje të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj e të mesëm Drin-Buna, Mat dhe Vjosë”.

Për pasojë pritet përkeqësimi i hartës së përmbytjeve në pjesën e Nën Shkodrës dhe përmbytjes së zonave periferike të qytetit të Shkodrës në afërsi të Liqenit. Për arsye të shtimit të rrezikut nga përmbytja, është vendosur të mbahet shenja e paralajmërimit nga përmbytja për qarkun e Shkodrës. Prurje të larta do të ketë dhe në Mat e Vjosë, por që nuk përbëjnë rrezik të shtuar për përmbytje. Në lumenjtë Ishëm, Erzen, Shkumbin e Seman nuk ka rrezik për përmbytje.