Aktualitet

Reshjet e shiut rëndojnë situatën në Lezhë!

223 grupe pune të OSHEE-së janë të angazhuar në terren në të gjithë vendin për t’ju përgjigjur avarive dhe ofruar furnizim me energji elektrike, në kushtet e motit të keq me stuhi e shira të dendur. Reshjet intensive të 48 orëve të fundit sollën probleme në furnizimin me energji në disa zona të vendit, sidomos në veri. Që dje, Shkodra e Lezha u veçuan si dy qarqet më të rrezikuar, ndërsa dy viktima u shënuan në Malësinë e Madhe.

Alarmi për zhdukjen e Pjetër Rushajt e të dy fëmijëve të tij, djalë e vajzë u dha që një ditë më parë nga familjarët. Më pas, policia konfirmoi se vajza arriti të shpëtonte pasi makina ku udhëtonin u rrëmbye nga rrjedha e përroit në Grykë Lugje të Shkrelit. Por, 50-vjeçari më djalin, për fat të keq nuk mbijetuan.

Pas 16 orë kërkimesh intensive, gjatë pasdites së djeshme, gjatë natës dhe gjatë mëngjesit të sotëm, nga polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në gjatësinë e përroit, në Bogë, u bë e mundur gjetja e dy trupave (babë e bir).

Situata në Lezhë është rënduar si pasojë e reshjeve të shiut në Mabe, Piraj, Gajdër e Torovicë. Sipas të dhënave nga strukturat e MC të bashkive Lezhë, Kurbin e Mirditë, sasia e reshjeve të rëna për dy ditët e fundit ishte 212 mm. Vetëm për 24 orët e fundit nga dje në mëngjes, deri tani ranë 82 mm  shi.

Sipërfaqe të përmbytura kemi në njësitë administrative Dajç e Blinisht rreth 700 ha, ndërsa në njësinë administrative Balldre rreth 500 ha. Lumi Gjadër dhe Drin janë mbushur e tërheqja e ujit bëhet shumë ngadalë, por nuk kanë dalë nga shtrati.

Në njësinë administrative Dajç bashkia Lezhë, në fshatin Gajdër janë 15 banesa në ujë e ura e Zojsit nuk kalohet. Në fshatin Zojs, 5 banesa në ujë.

Në njësinë administrative Balldre, fshati Kakarriq, janë 3 banesa në ujë. Në bashkitë Mirditë e Kurbin nuk raportohen problematika.