Aktualitet

Retorika e opozitës/ Aksion politik ndaj një personi! Më të butë për çmimet, naftën dhe Ahmetajn!

Arrestimi i ish-shefit të FBI-së për kundërzbulimin, pak ditë më parë, i dha zë në Tiranë akuzave të opozitës, të cilat i janë drejtuar kryeministrit Edi Rama.

E gjithë retorika e opozitës qartazi ishte në këtë drejtim, si nga dy fraksionet e Partisë Demokratike, ashtu edhe nga Partia e Lirisë së Ilir Metës.

Ky reagim ndaj një personi të vetëm është në kontrast me mungesën e reagimit të opozitës për çështje me ndjeshmëri shumë të lartë sociale.

E para është rritja e çmimeve të ushqimeve që po godet shumë rëndë të gjithë shqiptarët,  dhe e dyta dhe me flagrantja është rritja e çmimit të naftës,  për të cilin opozita ka heshtur dhe nuk ka bërë asnjë protestë apo reagim të ngjashëm në Parlament siç ndodhi një ditë më parë.

Por edhe në goditjen e korrupsionit të lartë shtetëror, nuk ka patur këtë reagim, por vetëm disa deklarata të dhëna më shumë nën presionin publik.

Në SPAK është bërë një denoncim në lidhje me ish zv/kryeministrin Arben Ahmetaj, të cilit iu faktua se ka marrë ryshfete nga administratorët e inceneratorëve.

Për llogari të udhëtimeve private të Arben Ahmetajt, Klodian Zoto ka paguar nga llogaritë e tij për rezervimet e hoteleve luksoze.

Për këtë rast flagrant të korrupsionit, opozita nuk reagoi dhe heshtja e gjatë dhe e thellë ishte qartazi një mbështetje.

Të tilla zhvillime për çdo opozitë në botë do të ishin, një rast i artë për ti kthyer në kalë beteje të aksionit të përditshëm opozitar dhe në favor të publikut.

Por për opozitën shqiptare e fragmentizuar si asnjëherë më parë, këto çështje kthehen në periferike dhe kurajoja për ti përmendur emrin Arben Ahmetaj kthehet në një mision të pamundur.

Opozita, nga njëri krah Sali Berisha në tjetrin Ilir Meta të sinkronizuar me njëri tjetrin po krijojnë zhurmë duke përdorur ngritjen e aktakuzës ndaj ish zyrtarit të lartë të FBI, për konsum të brendshëm.

Më së shumti si një alibi për të rrëzuar publikisht akuzat për financimet ruse por edhe shpalljen e Sali Berishës ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.