Sport

Rezultatet e dobëta, Egnatia shkarkon trajnerin Shpëtim Duro!

Egnatia mbetet pa trajner. Klubi rrogozhinas ka vendosur të shkarkojë trajnerin Shpëtim Duro pas humbjes ndaj Kukësit.

Drejtuesit morën këtë vendim drastik pas rezultateve të dobëta të ekipit, ku në 5 sfidat e fundit, Egnatia mori vetëm një fitore në kampionat.

Lajmin e ka konfirmuar klubi rrogozhinas, ndërsa kanë nisur punën për të gjetur zëvendësuesin e Duros.

Shpëtim Duro nisi aventurën e tij në 18 tetor të vitit të shkuar, duke e drejtuar ekipin në 10 ndeshje, e duke regjistruar 5 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje.

Egnatia e nisi sezonin me Edlir Tetovën, i cili drejtoi ekipin deri në javën e tetë, duke marrë vetëm 9 pikë, ndërsa tashmë largohet dhe Shpëtim Duro. Tetova u kthye në rolin e drejtorit sportiv disa ditë më parë, duke zëvendësuar Ndriçim Shtubinën, që u zhvendos si drejtues në radhët e akademisë.