Aktualitet

Riaktivizohen vatrat e zjarrit në Vlorë e Kukës!

Në Vlorë, sipërfaqe në gadishullin e Karaburunit e në fshatin Dukat vijojnë të digjen nga zjarret. Edhe pse në disa raste flakët vihen nën kontroll, era e fortë i riaktivizon duke favorizuar përhapjen. Gjithashtu, problem përbëjnë zjarret në Gjirin e Gramës.

Punonjës të zonave të mbrojtura kanë shkuar aty e në një ndërhyrje nga toka po përpiqen t’i mbajnë flakët nën kontroll. Në mbështetje të zjarrfikësve dhe efektivëve të forcave të armatosura, gjithashtu janë helikopterët e ardhur nga Holanda.

Edhe në Kukës, vijojnë aktive dy vatra në Majën e Runës, mbi Tunelin e Kalimashit. Ashtu si në Vlorë, era ndikon në përhapjen me shpejtësi të zjarreve, aq sa në mesnatë iu afruan Rrugës së Kombit.

Operacioni mes shkëmbinjve për të neutralizuar dhe shuar flakët u ndërpre për të rinisur sot në mëngjes. Situata në Majën e Runës është kritike për shkak se flakët kanë dalë jashtë kontrollit.

Sa i përket parashikimit të motit, deri në mesditë, vendi ynë do të dominohet nga kthjellime. Pasdite parashikohen kalime të pakta vranësirash në zonat e ulëta e malore ndërsa bregdeti mbetet i kthjellët.

Temperaturat kanë pësuar ulje krahasuar me ditët e kaluara dhe variojnë nga 13 në 36 gradë celcius.