Aktualitet

Rikthehen temperaturat e larta, na pret një nga fundjavat më të nxehta verore!

Masa ajrore të qëndrueshme dhe të thata dominojnë sot në vendin tonë, ndërsa temperaturat priten të rriten ndjeshëm duke shënuar kështu një nga fundjavat më të nxehta të verës. Megjithatë për sot, pavarësisht dominimit të kthjellimeve, në pjesën e dytë të ditës priten vranësira kalimtare, më të dukshme në zonat malore, sipas shërbimit MeteoAlb.

Madje në veri, pikërisht në këto zona malore do të krijohet mundësi për momente të pakta me pika shiu. Ndërkohë, pjesa me e madhe e vendeve të ulëta dhe bregdeti, kryesisht do të jenë me kthjellime. Këtë të shtunë, temperaturat luhaten në vlerat nga 16 deri në 37 gradë celcius. Era fryn e lehtë dhe mesatare me shpejtësi 33 km/h nga drejtimi perëndimor duke krijuar në det dallgëzim 1-2 ballë.

Edhe në ditën e nesërme, deri në orët e mesditës, pritet që kthjellimet të jenë mbizotëruese në të gjithë vendin, ndonëse në zonat e thella malore, hera-herës do të ketë kalime të lehta të vranësirave. Pas mesditës së 17 korrikut, vranësirat në zonat malore mund të bëhen më të dukshme. Në rajonet verilindore e pjesërisht lindore, ato do të pësojnë zhvillime të përkohëshme, që sjellin shira të paktë e të izoluar. Për nesër, temperaturat parashikohet të rriten ndjeshëm në mëngjes e në mesditë, për t’u luhatur në vlerat 17-38 gradë celcius. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi 38 km/h nga drejtimi verior-veriperëndimor, duke krijuar në det dallgëzim 2-3 ballë. Ndërkohë, temperaturat e larta çojnë në rritjen e konsumit të energjisë në vend.

Moti i nxehtë nuk po kursen as Italinë fqinje. Deri në fund të muajit e me gjasa, edhe në dy javëshin e parë të gushtit, nga veriu në jug, termometri do të shënojë 35 deri në 40 gradë celcius. Asnjëherë nuk ka zgjatur kaq shumë e madje i nxehti po prek lartësitë. Një ditë më parë, zero gradë u regjistrua vetëm në majën e Malit të Bardhë (4 809 metra) e Alpet rrezikohen nga shkrirja e dëborës. E gjitha kjo ka një emër dhe është pagëzuar si Apokalipsi4800. Me temperaturat në rritje, Europa përballet me zjarre e thatësirë.