Bota

Rikthehen tensionet, Izraeli vret 5 palestinezë!

Forcat izraelite njoftuan se vranë pesë palestinezë të armatosur gjatë një bastisjeje në një kamp refugjatësh në Bregun Perëndimor të pushtuar. Kjo pritet të përshkallëzojë tensionet në rajon. Zyra e Presidentit të Autoritetit Palestinez tha se “kjo dhunë është krim”, ndërsa nga Shtetet e Bashkuara kërkoi që t’i bëjnë presion Izraelit të mos vazhdojë me inkursione.

Ushtria izraelite sqaroi se bastisja u krye me qëllim që të arrestohej një celulë militantësh që sulmoi një restorant në një vendbanimin hebraik në Bregun Perëndimor. Gjithçka ndodh në një prej periudhave më vdekjeprurëse në vitet e fundit në konfliktin izraelito-palestinez e në javët e para të qeverisë së re izraelite, që ka premtuar se do të ketë qëndrim më të ashpër ndaj palestinezëve.

Ushtria izraelite hyri në kampin e refugjatëve Akabat Xhabër, për të arrestuar të dyshuarit e sulmit të muajit të kaluar në një restorant në Bregun Perëndimor. Disa prej personave që u vranë ishin të përfshirë në ngjarjen e muajit të kaluar.

Zyra e Presidentit Palestinez, Mahmoud Abbas, deklaroi:

Qeveria e re e Izraelit po vazhdon me serinë e krimeve kundër popullit palestinez.

Ndërkaq, Jihad Abu Al-Assal, guvernator i Jerikos në Luginën e Jordanit tha se ushtria izraelite po mban trupat e pajetë të viktimave. Pa patur trupat e viktimave, Ministria palestineze e Shëndetësisë nuk mund të konfirmojë numrin e të vrarëve, por shtoi se tre persona janë të plagosur, njëri në gjendje kritike. Referuar burimeve të sigurisë, Associated Press raportoi se dy prej të vrarëve ishin anëtarë të Hamasit, ndërsa tre të tjerë u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit me trupat izraelite.

Nga pranvera e kaluar, ushtria izraelite ka shpeshtuar bastisjet në Bregun Perëndimor, pas një serie sulmesh vdekjeprurëse palestineze brenda Izraelit. Vitin e kaluar, pothuajse 150 palestinezë u vranë në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor, numri më i lartë i viktimave në këtë zonë që nga viti 2004. Ushtria izraelite shprehet se shumica e palestinezëve të vrarë ishin militantë. Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës së Lindjes së Mesme në vitin 1967. Palestinezët thonë se këto territore do të jenë pjesë e një shteti të tyre të pavarur në të ardhmen.