Aktualitet

Rikthehet fenomeni ‘Mihali’! U ankuan për çmimet, pronari kërcënon me thikë klientët!

Policia e Sarandës ka zbardhur një ngjarje të ndodhur pasditen e djeshme në një nga restorantet e zonës, video e së cilës qarkulloi gjerësisht në rrjet dhe ku shihej pronari i biznesit në fjalë që ndiqte me thikë klientët e tij.

Policia ka shpallur në kërkim 48-vjeçarin Alban Çoba. Ai është pronari nga Fieri i restaorantit “Fantastic”.

Ndërkohë, sa i përket konfliktit, ai ka ndodhur rreth orës 18:00 pas një debati me disa klientë nga Delvina lidhur me faturën, për të cilën klientët nuk ishin dakord dhe refuzonin ta paguanin.

Çoba i ka kanosur ata me një mjet prerës, por fatmirësisht nuk ka gjuajtur në drejtim të ndonjërit prej klientëve, ndaj incidenti është mbyllur pa të lënduar.

Restoranti ku ka ndodhur episodi i pakëndëshëm për turizmin, ndodhet në aksin Turizëm- Kanali i Çukës.

Gjithashtu raportohet se policia nuk e ka gjetur as në lokal dhe as në banesë pronarin, ndaj e ka shpallur në kërkim.

“Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqej nje shtetas i cili kishte kanosur me mjet prerës, disa klientë, në një lokal, në qytetin e Sarandës, ju informojmë se: Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, për ngjarjen e ndodhur, janë kryer të  gjitha veprimet hetimore dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. Ç., 48 vjeç, banues në Sarandë. Ky shtetas, dyshohet se në ambientet e subjektit të tij, në lagjen nr.1, Sarandë, pas një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me mjet prerës (thikë), disa klientë. Vijon puna për kapjen e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.