Aktualitet

Rikthehet frika e përmbytjeve në vend!

Reshjet e dendura të shiut rikthejnë frikën e përmbytjeve në të gjithë vendin. Sipas përllogaritjeve të Institutit të Gjeoshkencave, sot dhe nesër pritet rritje në prurjet e lumenjve Drin, Bunë, Vjosë, si dhe në Liqenin e Shkodrës.

Në Durrës, reshjet e shiut kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve e të këmbësorëve në disa rrugë të qytetit e më në periferi. Gjendja më e rënduar paraqitet në lagjen 18.

Qyteti i Shkodrës u zgjua me reshje të dendura shiu, ndërsa zonat malore të qarkut verior, të zbardhura nga dëbora. Raportohet për rënie gurësh e inertesh, por që pastrohen vazhdimisht e nuk ka akse të bllokuara. Në Theth janë vënë në dispozicion dy borëpastruese, duke bërë të mundur hapjen e rrugës.

Përkeqësimi i kushteve të motit në orët e para të ditës, shkaktoi dëme në rrjetin elektrik të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. OSSH njofton se zonat në Fier, Fushë-Krujë, Lezhë dhe rreth Tiranës, përballen me mungesë të energjisë elektrike.

Shkak i këtyre stakimeve është bërë moti i keq me shira, erëra të forta dhe shkarkime të fuqishme atmosferike. Afro 90% e defekteve shfaqen në zona rurale e rurale të thella, pasi furnizohen nga linja ajrore. Grupet e punës janë njoftuar 48 orë përpara e po operojnë mbi planin e masave të gatishmërisë. Institucionet e rëndësishme, si spitalet dhe hidrovorët furnizohen normalisht me energji elektrike.

Problemet me fiderat kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë edhe në disa zona në Shkodër e Gjirokastër e po punohet për riparimin e avarive.

Sa i përket parashikimit të motit, një sistem i fuqishëm vranësirash është vendosur në territorin shqiptar duke sjellë shira në pjesën më të madhe të vendit. Sipas MeteoAlb-it, më të dendur shirat janë në zonat veriore e pjesërisht në qendër të territorit ku intensiteti i tyre mbetet i lartë. Në zonat e thella malore ka reshje të pakta dëbore, kryesisht verilindja. Temperaturat luhaten në vlerat 5-18 gradë celcius. Era fryn mesatarisht me shpejtësi 45 km/h nga drejtimi Jugor-Jugperëndimor. Për pasojë, në brigjet detare krijohet dallgëzim 3-4 ballë.

Nesër, vendi ynë mbetet me vranësira në pjesën e parë të ditës, të cilat do të gjenerojnë reshje në zonat veriore e qendrore. Pritet që këto reshje të jenë më të pakta në jug. Pjesa e dytë e ditës së nesërme parashikohet të sjellë përmirësim gradual të kushteve atmosferike, me kthjellime në territor. Temperaturat do të luhaten nga 3-19 gradë celcius.