Aktualitet

Rikthehet funksionimi i sistemit TIMS në 7 pikëkalime/Ende jo në Portin e Durrësit e në Qafë Thanë!

Pas më shumë se 24 orësh nga sulmi kibernetik i Iranit, raportohet se sistemi TIMS është rikthyer në normalitet në 7 pika kufitare të vendit tonë. Fillimisht, në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit, ku tashmë regjistrimi i hyrjeve dhe daljeve bëhet përmes tij e qytetarët nuk duhet më të presin në radhë të gjata. Po ashtu, rinisi funksionimi normal në pikëkalimet me Greqinë, Malin e Zi e Kosovën, në pikat kufitare të Kakavijës, Kapshticës, Hanit të Hotit, Muriqanit e Morinës. Rikthim të sistemit ka edhe në Portin e Vlorës, por ende jo në të Durrësit, që është edhe porti më i madh në vend, si dhe në Qafë Thanë.

Pas sulmit kibernetik të Iranit mbrëmjen e 9 shtatorit, fillimisht TIMS u rivu në funksion në Aeroportin e Rinasit, pika kryesore kufitare e Shqipërisë. Për të provuar integritetin e sistemit, ekspertët e rikthyen pjesërisht në dy sportele, por që nuk ishin në shërbim. Megjithatë, nuk pati anulim të fluturimeve ajrore dhe si masë paraprake, qytetarëve iu kërkua të paraqiteshin në Rinas, dy orë e gjysmë para udhëtimit të planifikuar.

Në të tjera pika të kalimit kufitar, tokësore e detare, shërbimet policore operuan manualisht për përpunimin e dokumenteve, me regjistra për udhëtarët. Kryeministri Edi Rama dje konfirmoi se edhe kësaj here është dora e Republikës Islamike të Iranit pas goditjes së TIMS-in. Ndërkohë, pasi u faktua përfshirja e Teheranit në sulmin kibernetik të mesit të korrikut, Tirana zyrtare ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe diplomatët iranianë u larguan brenda 24 orëve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënuan sulmin kibernetik iranian të së premtes mbi sistemet e ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit, përfshi TIMS-in, që përdoret për hyrje-daljet nga kufijtë e Shqipërisë.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë thekson mbështetjen ndaj vendit tonë, për të rikthyer normalitetin e sistemit.

Ky aktivitet keqdashës kundër Shqipërisë vjen pas sulmit kibernetik të 15 korrikut të kryer nga qeveria e Iranit. Qeveria e SHBA-ve po mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të rikthyer sistemin.