Sport

Rikthehet pista e famshme gjermane për garat e MotoGP!

Sachsenring do të presë garat e Moto GP edhe për pesë sezonet e ardhshme. Pista e famshme gjermane siguroi në këtë mënyrë të drejtën për të pritur garat e kampionatit botëror të motoçiklizmit deri në fundin e vitit 2026. Sachsenring është një ndër pistat më të vjetra në vend dhe cirkuiti pranë Chemnitz-it ka pritur gara gjithashtu edhe para Luftës së Dytë Botërore, nga 1934 deri në vitin 1939, ku u garoi në kategoritë 250, 350 dhe 500 cc. Kampionati botëror i motoçiklizmit në të vërtetë startoi kohë më pas, më saktë në vitin 1949, megjithatë Gjermania u përfshi në kalendarin zyrtar të garave të këtij aktiviteti dy vjet më vonë.

Çmimi i Madh i vitit 2021 do të zhvillohet me dyer të mbyllura, pra pa praninë e spektatorëve, për shkak të pandemisë së koronavirusit, me shpresën se gjërat do të përmirësohen shpejt në këtë aspekt dhe gjithçka do të rikthehet në normalitet.

Çmimi i Madh i Gjermanisë mungoi vitin e kaluar, sepse siç dihet edicioni i 72-të i kampionatit botëror të motoçiklizmit u përqendrua në vetëm 14 gara gjithsej në Kontinentin e Vjetër, prej virusit COVID –19, ku gjysma e këtyre garave madje u zhvillua vetëm në Spanjë. Viti i fundit kur u garua në Sachsenring ishte viti 2019, kur në pistën e famshme gjermane ia dolën mbanë për të fituar pikërisht dy vëllezërit Alex dhe Marc Marquez, që triumfuan respektivisht në Moto 2 dhe Moto GP.