Sport

Rikthehet Abissnet Superiore, sot dueli Partizani-Vllaznia!

Pas pushimit me rastin e festave të fundvitit, java e 16-të e Kategorisë Superiore nga sot rikthen në lojë skuadrat elitare të Shqipërisë. Tre ndeshje luhen këtë të premte dhe dy të tjera në ditën e nesërme, në kalendarin e ngjeshur që prezanton një tjetër duel kreu, atë mes Partizanit e Vllaznisë. Takimi që do të luhet pasdite në orën 16:00 në stadiumin e të kuqve do të ketë edhe një spektator të veçantë, trajnerin  e Kombëtares Shqiptare të Futbollit, brazilianin Sylvinho, ndërsa në fushën e lojës, dy skuadrat do të kërkojnë tre pikëshin që mund të thotë shumë për rrugëtimin e tyre këtë sezon.

Partizani kryesues me formacion të plotë dhe gjithashtu Skukën në majën e sulmit, ndërsa Vllaznia ende pa një lojtar që të bëjë diferencën në paketën ofensive pasi Liridon Latifi është detyruar të ankorohet sërish në infermieri. Në orën 13:00, vijnë emocionet e Kurbinit në duelin e paparashikueshëm Laçi-Tirana. Kampionët në vështirësi vijnë në këtë përballje pas humbjes në derbi, por me dy ish në organikë si Lushkja e Xhixha. Skuadra e Orges Shehit kërkon të mos humbasë më terren, por përballë do të ketë bardhezinjtë në superformë e me një trajner që u ka rikthyer identitetin si Gentian Mezani.

Në po të njëjtin orar do të luhet edhe për mbijetesën në Ballsh ku Bylisi pret Kukësin. Mallakastriotët dhe verilindorët ndahen nga një pikë e vetme në vijën e hollë që është mes zonës së ftohtë dhe play off-it.

Nesër në Rrogozhinë, dy surprizat e sezonit Egnatia dhe Erzeni do të kryqëzohen në një 90 minutësh interesant, ndërsa në orën 16:00, Teuta pret Kastriotin në “Niko Dovana” të Durrësit, për t’iu larguar fundit të klasifikimit edhe pse përballë do të ketë një kundërshtar aspak komod.

E premte, 13 janar:

Ora 13:00:

Bylis-Kukësi

Laçi-Tirana

Ora 16:00:

Partizani-Vllaznia

E shtunë, 14 janar:

Ora 13:00:

Egnatia-Erzeni

Ora 16:00:

Teuta-Kastrioti