Sport

Rikthehet Superiorja, sot në orën 16:00 luhen pesë ndeshje!

“Abissnet Superiore” do të zbresë sot në fushën e lojës me Javën e 35-të, që është e parafundit, ndërkohë që të gjitha verdiktet janë në lojë, ende për t’u zgjidhur. Të gjitha ndeshjet do të nisin sot në orën 16:00. Ato janë Vllaznia-Laçi, Tirana-Bylis, Kastrioti-Partizani, Teuta-Egnatia dhe Kukësi-Erzeni.

Tirana kryesuese ka zgjedhur si shtëpinë e saj në këtë javë “Arena Egnatia” ku do të presë Bylisin. Dy skuadra me pretendime ekstreme, me bardheblutë që kërkojnë të ruajnë vendin e parë dhe ballshiotët që kërkojnë të mbajnë gjallë shpresat për mbijetesë.

Në “Elbasan Arena”, Kastrioti do të presë Partizanin. Duhet thënë se në këtë sfidë, të kuqtë janë të dënuar për të fituar dhe në të njëjtën kohë të shpresojnë në një hap të gabuar të bardhebluve. Ndërkohë, në anën tjetër, një humbje e krutanëve do të ishte fatale për sezonin e tyre.

Në “Loro Boriçi”, sfida mes Vllaznisë dhe Laçit është si një finale, të dyja skuadrat kanë pretendimet e tyre për një vend në Europë. Ndërkohë në “Kukës Arena” luhet një tjetër finale, ajo për mbijetesë mes verilindorëve dhe Erzenit.

Vendi i tretë, Egnatia tashmë ka siguruar Europën dhe sfida në “Niko Dovana” me Teutën duket si një “shëtitje”. Nga ana tjetër, durrsakët kërkojnë me çdo kusht fitoren për të pretenduar një vend në kupat e Europës.