Aktualitet

Rindërtimi pas tërmetit, familjet kthehen sot në shtëpitë e reja në Laç

Lagjja e re qendrore e qytetit të Laçit, me 524 apartamente, 37 njësi shërbimi, 375 vendparkime, qendër tregtare, njësi shërbimi e infrastrukturë me standarde urbane të cilësisë së parë, është gati për të pritur banorët.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i Rindërtimit në Laç, ndërsa informoi se familjet e prekura nga tërmeti do të nisin të kthehen në shtëpitë e reja.

“Mirëmëngjes dhe me kënaqësinë që sot familjet e prekura nga tërmeti në Laç do të nisin të kthehen në shtëpitë e reja, teksa plagët e rënda të tërmetit po shërohen një e nga një, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Banesat dhe blloqet e reja që janë ndërtuar në Laç, janë të lidhura me ujësjellësin e ri, i cili siguron ujë 24 orë pa ndërprerje për banorët.

Ndërkohë, është rindërtuar edhe shkolla që i shtohet kësaj lagjeje, ku fëmijët do të kenë mundësinë të përdorin edhe ambientet komunitare të zonës së re të banimit.

“TRANSPARENCA dhe DREJTËSIA në ndarjen e apartamenteve të Rindërtimit është një element kuptimplotë i kësaj historie të bukur solidariteti, respekti, përkushtimi maksimal të politikës ndaj njerëzve më në nevojë.
Çdo apartament është ndarë me short publik dhe jo vetëm që çdo metër katror i Rindërtimit ka shkuar për familjet e prekura nga tërmeti, po edhe pozicioni, shkalla, kati për çdo familje është caktuar pa asnjë ndërhyrje apo ndikim nga jashtë, falë shortit publik. Dikur edhe banesat sociale ndaheshin me lek e me mik, madje në jo pak raste merreshin nga njerëz me pushtet, ndërsa sot ajo praktikë i përket të shkuarës së abuzimeve me pushtetin e dallavereve me shtetin.
Për të mos lejuar që asnjë gabim i vetëm njerëzor apo largqoftë edhe i qëllimshëm ta cënojë këtë proces ku njerzillëku ka qenë qysh ditën e parë thelbi i përpjekjes sonë, cilido që ka një ankesë mund të drejtohet në platformën e bashkëqeverisjes https://shqiperiaqeduam.al” shkruan Rama.