Bota

Rinisin bombardimet në Kherson/Qyteti pa energji!

Gjatë ditës së sotme, trupat ruse kanë rinisur bombardimet e qytetit jugor ukrainas të Khersonit, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në këtë qytet të çliruar kohët e fundit. Njoftimet për sulme në Kherson vijnë teksa luftimet vazhdojnë intensivisht në lindje, ndërsa zyrtarët kanë paralajmëruar se Ukraina do të përballet me një dimër të vështirë për shkak të goditjeve të Rusisë ndaj infrastrukturës së saj.

Përmes Telegramit, guvernatori Yaroslav Yanushevych njoftoi:

Pushtuesit rusë bombarduan Khersonin duke i dëmtuar rrjetin elektrik. Qyteti sërish ka mbetur pa energji elektrike.

Specialistët janë duke punuar për të rikthyer furnizimet e energjisë në këtë qytet të çliruar së fundmi e që gjendet në anën e djathtë të bregut të Lumit Dnjepër.

Ukraina rimorin kontrollin e Khersonit në datën 11 nëntor, pasi ushtria e Rusisë u tërhoq në anën e majtë të bregut të Dnjepërit. Artileria ruse është vendosur në një pozicion të ri përgjatë lumit dhe vazhdimisht ka sulmuar qytetin me raketa.

Tre persona u vranë një ditë më parë për shkak të sulmeve ruse në qytet.

Miliona ukrainas po përballen me mungesë të energjisë elektrike dhe ngrohjes, pas një vale të sulmeve ruse në mbarë vendin, teksa presidenti rus, Vladimir Putin, tha dje se bombardimet e reja ndaj infrastrukturës së Ukrainës janë “të pashmangshme”.

Zyrtarët ukrainas vunë në dukje se do të bëjnë gjithçka për të riparuar dëmet. Në kohën kur Khersoni po has në sulme, në lindje të Ukrainës forcat e Kievit po përballen me goditje të ashpra në rajonet e Luhanskut dhe Donjeckut. Ushtria ukrainase tha sot se një ditë më parë ka rrëzuar një helikopter e gjashtë dronë të Rusisë.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase deklaroi se forcat ruse kanë kryer sulme të shumta ajrore që kanë goditur infrastrukturën civile dhe pozicionet e ushtrisë ukrainase përgjatë vijës së kontaktit. Raportimet nga fushëbeteja nuk janë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.