Aktualitet

Rishfaqet biznesmeni italian i zhdukur në Shqipëri!

Merr fund misteri, pas 8 muajsh hetime nga prokuroritë në Shqipëri e Itali, biznesmeni italian Davide Pecorelli bëhet i gjallë e mësohet se kontaktoi në telefon me partneren shqiptare. Kjo e fundit kishte angazhuar avokatin Giancarlo Viti, i cili konfirmoi lajmin e gjetjes së sipërmarrësit. 45-vjeçari nga Lama në San Giustino u gjet dje në një gomone pranë brigjeve të Livornos, në afërsi të një ishulli. Njoftimi padyshim gëzoi edhe babain e moshuar të Davide-s. Nga shtëpia e tij në Lama, 86-vjeçari Renato Pecorelli u shpreh se pret me padurim ta përqafojë e gjithashtu “t’i shkulë veshin” të birit për shqetësimin e krijuar.

Shpresoja edhe pse ka kaluar kohë. Kur ta takoj, pres të më tregojë se çfarë i ndodhi!

Siç ka bërë të ditur, sot do të paraqitet në Prokurorinë e Peruxhias për të dhënë shpjegime. Rasti vuri në lëvizje autoritetet në të dy anët e Adriatikut pasi në javën e parë të janarit, makina tip “Skoda Fabia” që Pecorelli kishte marrë me qira në Aeroportin e Rinasit, u gjet e djegur rreth 30 km larg Pukës. Në vendin tonë, babai i 4 fëmijëve gjendej për arsye pune. Krahas objekteve personale të Pecorelli-t, në automjetin e shkrumbuar hetuesit konstatuan disa mbetje kockore, që nga ekzaminimi asnjëherë nuk iu atribuan atij.

Historia e Davide-s, sidomos në muajt e parë pas zhdukjes, çoi në shumë hipoteza. Biznesmeni nga San Giustino po kalonte një periudhë delikate në biznes e kishte vendosur të provonte fatin në Shqipëri, me tregtimin e pajisjeve të kushtueshme për qendrat estetike.

Tani mbetet të zbardhet se përse Davide Pecorelli humbi gjurmët për kaq shumë kohë e gjendej në atë gomone kur dihet që Shqipëria është në anën tjetër të Italisë. Duke e njohur, të shumtë ishin ata që prisnin një epilog jo të zakonshëm, por kësaj here i befasoi të gjithë.