Bota

Rishfaqet motra e Kim Jong Un/ Bisedimet me Korenë e Jugut dhe një profil i gruas që “komandon” diktatorin e Koresë së Veriut.

“Pas raketave, mund të vijë dialogu”. Motra e pushtetshme e diktatorit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, shprehet e gatshme të rinisë bisedimet me Jugun, nëse ky shtet i jep fund “politikave armiqësore”.

Kim Yo-jong e dha deklaratën gjatë kundërpërgjigjes për kërkesën e Seulit për të shpallur zyrtarisht fundin e Luftës Koreane.

Duhet të heqin dorë nga sjelljet me standarde të dyfishta, paragjykimet jo logjike, praktikat e këqija dhe qëndrimi armiqësor për të justifikuar aktet e tyre teksa fajësojnë ushtrimin e të drejtës sonë për të mbrojtur veten. Vetëm kur këto parakushte të përmbushen, do të jetë e mundur që të ulemi ballë për ballë dhe të shpallim përfundimin e luftës, u shpreh Kim Yo-Jong.

Konflikti, që ndau gadishullin në dysh, përfundoi në vitin 1953 me një armëpushim dhe jo një traktat paqeje. Teknikisht, të dyja shtetet kanë qenë në luftë që prej asaj kohë dhe në disa raste marrëdhënia ka qenë mjaft e tensionuar.

Këtë javë, presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, bëri thirrje Koresë Komuniste, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës që të mblidhen dhe të sjellin paqe në gadishull përmes dhënies fund të luftës. Një ide të cilën motra e diktatorit Kim Jong un e konsideroi “të admirueshme”.

Çfarë dimë për Kim?

E lindur në 1987, ajo është motra më e vogël e udhëheqësit të Koresë së Veriut dhe e vetmja nga vëllezërit e motrat e tij, të cilën ai e konsideron si një aleate të ngushtë. Ajo filloi të pushtonte mediat ndërkombëtare në vitin 2018, kur u zgjodh si anëtarja e parë e Dinastisë Kim që vizitoi Korenë e Jugut. Ajo madje mori pjesë në misionin e Lojërave Olimpike Dimërore, ku Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut morën pjesë si një ekip i vetëm.

Thuhet se ajo është njeriu që hapi rrugën për takimin e vëllait të saj me Presidentin e Koresë së Jugut Moon Jae-in dhe një seri kontaktesh diplomatike që arritën kulmin në takimin historik të Kim me Presidentin e atëhershëm amerikan Donald Trump.

Në Prill 2020, ajo u kthye në ballë, në një kohë kur vëllai i saj po kalonte një periudhë të gjatë mungese publike, duke shkaktuar kështu një sërë skenarësh për shëndetin e tij. Zhdukja e Kim ishte gjithashtu ajo që e çoi atë në krye të listës së kandidatëve.

Duhet të theksohet se regjimi i Phenianit është jashtëzakonisht i fshehtë dhe kështu që asnjë informacion zyrtar në lidhje me jetën e saj personale nuk është bërë publik. Sidoqoftë, ajo thuhet se është martuar me djalin e Cho Ryong-hae, sekretarit të parë të Partisë Komuniste dhe zyrtarisht nr 2 në hierarki.

Sidoqoftë, ajo që dimë është se ajo kishte jetuar për një kohë në Zvicër, ashtu si vëllai i saj, kur ishte fëmijë. Që nga viti 2014, puna e saj kryesore ka qenë mbrojtja e vëllait të saj: Jo si truprojë, natyrisht, por si personi që është plotësisht përgjegjës për imazhin e tij.

Ajo fillimisht mori drejtimin e departamentit të propagandës së partisë dhe në vitin 2017 u gradua anëtare e Byrosë Politike. Që atëherë, çdo deklaratë dhe paraqitje e vëllait ka vulën e saj.