Aktualitet

Rishikim i mundshëm i mbështetjes sociale për rimbursimin e energjisë!

Mund të rishikohet skema e mbështetjes sociale për rimbursimin e energjisë elektrike. Në relacionin e projektbuxhetit për vitin 2022, thuhet:

MFE i ka dhënë miratimin paraprak propozimit për rishikim të skemës së mbështetjes sociale për rimbursimin e energjisë. Asistenca teknike për vlerësimin e skemës aktuale ka filluar punën.

Rritja e paparashikuar eksponenciale e çmimit të energjisë në tregun e lirë ka ndryshuar tërësisht perspektivat e zhvillimit të aktivitetit të shoqërisë. Mosplotësimi i planit të furnizimit me energji elektrike, si pasojë e motit të thatë po detyron OSHEE-në të plotësojë këtë mungesë, me blerje në tregun e lirë, që do të ndikojë në ulje të performancës financiare dhe mungesë likuiditeti të kompanisë.

Si pasojë, OSHEE parashikon një humbje financiare prej rreth 8.9 miliard lekësh për vitin 2021 e nëse nuk merren masa të menjëhershme, edhe viti 2022 do të shënojë humbje financiare prej rreth 7.2 miliard lekësh. Me qëllim zvogëlimin e humbjeve financiare, OSHEE Group sh.a është duke programuar masa të shpejta lidhur me daljen nga kjo vështirësi, që të arrijë një performancë pozitive financiare të sektorit, për përballimin e situatave eventuale të vështira në të ardhmen, pa rënduar Buxhetin e Shtetit.

Pavarësisht krizës në tregjet ndërkombëtare, Qeveria Shqiptare ka deklaruar se nuk do të lejojë rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël. Po ashtu, qeveria vendosi garanci sovrane prej 200 milion eurosh në dispozicion të OSHEE-së, për sigurimin pa ndërprerje të furnizimit me energji.