Politikë

Rithemelimi kundër platformës së Alibeajt, Bardhi: Nuk mbahet peng opozita për një vilë që të ka zbuluar Rama

Deputeti i Partisë Demokratikë, Gazment Bardhi ka shtruar pyetjen për atë që quan me ironi “opozitë e vërtetë”, duke pretenduar se Edi Rama i mban peng për shkak se i ka zbuluar një vilë të pajustifikuar me vlerë 760 mijë euro.

Në një mesazh të koduar, pa përmendur emra, Bardhi shkruan në rrjete sociale: “Pyetje për “opozitën e vërtetë”; vilën 760 mijë euro, e shitën apo spo ja ble askush? Nuk mund të mbash peng opozitën për një vilë të pajustifikuar që të ka zbuluar dhe me të cilën të mban peng Edi Rama!”.

Reagimi i Bardhit vjen pas deklaratave të njëpasnjëshme të përfaqësuesve të Komisionit të Rithemelimit, të cilët kundërshtojnë draftin e Alibeajt për Presidentin.

Më herët, kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, akuzoi Enkelejd Alibeajn dhe deputetë të PD-së se po bashkëpunojnë me maxhorancën. Sipas Palokës, “për zgjedhjen e presidentit të propozuar nga e majta”.

Propozimet e Ramës shiten si kritere te “opozitës”. Loja e turpshme për të paraqitur presidentin e Ramës si president konsensual, zhvillohet përpara syve të publikut e në mënyrën me të trashë. Rama bën sikur mbledh mendimet e deputetëve të PS-së me zarf, Alibeaj bën sikur mbledh mendimet e deputetëve të tij me e-mail. Në finale, kandidati i Ramës do dalë nga goja e L.B, E.A …Nuk e di nëse ata deputetë (të zgjedhur me votat e demokratëve) që vazhdojnë ndjekin këtë rrugë, janë thjesht viktima naive që po përdoren apo janë me vullnet të plotë në këtë loje ?! Përgjegjësia është e tyre!

Reagimi i Palokës erdhi pas thirrjes Enkelejd Alibeaj për zhvillimin sot të mbledhjes së kryesisë së grupit parlamentar të Partisë Demokratike për të dakordësuar qëndrimin që kjo forcë politike do të ketë në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Kryetari i grupit Enkelejd Alibeaj iu la afat deputetëve mbrëmjen e 8 majit, që të dërgojnë me shkrim propozimet mbi kriteret që sipas tyre duhet të plotësojë Kryetari i Shtetit.

Secili anëtar i grupit mund të sugjerojë kriteret që do të propozojmë për zgjedhjen e Presidentit, si dhe rregullat e procedurës që do të ndiqet për përzgjedhjen konsensuale, ku opozita të ketë rol thelbësor në proces. Më pas, kryetari i grupit do të bëjë përmbledhjen e qëndrimeve dhe dokumenti do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Grupit Parlamentar.

Demokratët ende nuk kanë një qëndrim të unifikuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri. Ndërsa ka deputetë që kërkojnë përfshirjen në tryezën e negociatave dhe prezantimin e propozimeve konkrete sa i përket kandidaturave, Komisioni i Rithemelimit, i ngritur në Kuvendin e 11 dhjetorit të kaluar të thirrur nga ish-kryeministri Berisha është plotësisht kundër. Ky komision shprehet plotësisht kundër uljes në tryezë me maxhorancën e pak ditë më parë miratoi edhe një rezolutë që ndalon përfshirjen e opozitës në proces nëse nuk e zgjedh ajo presidentin.

Një reagim pati edhe nga anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Enno Bozdo. Sipas tij, “nuk mund të ketë propozime të asnjë deputeti të veçantë në emër të PD-së”. Bozdo thotë se “këtë tagër e ka vetëm Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike” dhe shton se “rezoluta e miratuar prej tij e përcakton qartë këtë fakt”.

Dokumenti i shpërndarë dje në “emër të grupit parlamentar të PD”, nuk është gjë tjetër veçse disa kritere të Ramës, të vendosura në gojën e atyre që jo vetëm nuk përfaqësojnë PD-në, por që kërkojnë që kështu zgjedhjen e presidentit t’ia lënë në dorë totalisht Ramës. Rama nga ana e tij do deklarojë që zgjedhja ishte “konsensuale” me opozitën! Një skenar i turpshëm dhe bajat. Është një skenar i tillë sepse synon një opozitë vasale, të kapur, të papërgjegjshme, në kundërshtim me interesat e shqiptarëve! Kjo kohë ka mbaruar. PD sot përfaqëson rezistencën politike dhe qytetare ndaj qeverisjes më të korruptuar në Evropë! Si e tillë ajo do të mbrojë vetëm interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve e jo të Ramës dhe të shiturve tek ai.

Edhe zëdhënësja e Komisionit të Rithemelimit, Floriana Garo e ka cilësuar draftin e Enkelejd Alibeajt si në kundërshtim me parimet e vendosura në Kuvendin e 30 prillit.

Sipas Garos, Alibeaj ka bërë akt tradhtie ndaj demokratëve draftin e propozuar nga Enkelejd Alibeaj për zgjedhjen e presidentit të ri.