Aktualitet Politikë

Rithemelimi mbledh nesër Këshillin e ri Kombëtar, diskutohet për ‘Presidentin’!

Partia Demokratike do të mbledhë ditën e nesërme në orën 18:00 Këshillin Kombëtar. Kjo do të jetë mbledhja e parë pas Kuvendit të 30 prillit, që zgjodhi edhe anëtarët e rinj të këtij organi të rëndësishëm.

Deputeti Edi Paloka tha se qëllimi i mbledhjes nuk është vetëm konstituimi por edhe do të përcaktohet qëndrimi politik i PD për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

“Është i vetmi organ që përcakton qëndrimin e unifikuar të Partisë Demokratike në lidhje me një qëndrim të rëndësishëm politik”, tha Paloka.

Anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD janë edhe Enkelejd Alibeaj, Lulzim Basha, Gazment Bardhi dhe të gjithë deputetët e tjerë që nuk i janë bashkuar Berishës. Nëse do të jenë apo nesër në mbledhjen e Këshillit Kombëtar kjo mbetet për tu parë edhe pse kjo ka pak gjasa të ndodhë.

Nga ana tjetër, Enkelejd Alibeaj do të mbledhë sot në orën 17:00 grupin parlamentar të Partisë Demokratike, ku në fokus do të jenë negociatat për zgjedhjen e presidentit të ri. Partia Socialiste ra dje dakord me opozitën sot që mbledhja e Konferencës së Kryetarëve të mbahet më 10 maj, ku do të vendoset edhe data për raundin e parë të votimeve për presidentin e ri.

Kujtojmë se maxhoranca ka përjashtuar Sali Berishën në negociata për zgjedhjen e Presidentit të ri duke thirrur vetëm Enkelejd Alibeajn.