Aktualitet

Roaming zero në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë!

Në Shqipëri dhe 5 vende të Ballkanit Perëndimor, nga sot roaming është zero. “Fol si n’shpi”, nisma e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal parashikon heqjen e tarifave roaming me pakicë kur abonentët e rrjeteve celulare në vendin tonë të vizitojnë shtetet e rajonit.

Marrëveshja për reduktimin e çmimeve të shërbimeve roaming u nënshkrua në Beograd, më 4 prill 2019. Akordi u firmos nga ministritë përgjegjëse për komunikimet elektronike të Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e Serbisë. Iniciativa për roaming zero përshkruhet si “histori suksesi dhe që nuk do të shkaktojë humbje për kompanitë celulare”.

Duke folur në Kuvend ku prezantoi raportin e institucionit që drejton për 2020-ën, kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike, (AKEP), Tomi Frashëri e cilësoi heqjen e tarifave roaming në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor si një arritje themelore në fushën e konektivitetit.

Zhdukja e çdo dallimi apo barriere tarifore mes përdoruesve të telefonisë celulare në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor përmes zbatimit nga të gjithë operatorët rajonalë të shërbimeve të njësuara Roaming përbën një arritje themelore në fushën e konektivitetit. Që prej ditës së sotme, 1 korrik 2021, falë punës së përbashkët të 6 qeverive, të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, të rregullatorëve si dhe falë angazhimit maksimal e të vyer të operatorëve, çdo përdorues i shërbimeve roaming në hapësirën ekonomike të Ballkanit Perëndimor do të mund të ndihet mirëfilli qytetar i një rajoni të ndërlidhur në mënyrë optimale dhe jo më thjesht konsumator me trajtim të diferencuar nga një vend në tjetrin. Roaming do të jetë tanimë aq i thjeshtë dhe i lirë sa përdorimi i përditshëm i telefonit në shtëpi.