Mes skafeve të shpejtë, barkave të peshkimit dhe jahteve luksozë në Marinën e Hong Kongut, një mjet lundrues ndryshe nga të tjerët lëviz i pashqetësuar. Teksa “shëtit” në ujërat e portit, katamarani 3 metra i gjatë ushqehet. Si të ishte figura e lojës së famshme të viteve 1980-’90 PacMan, roboti detar konsumon mbetjet që pluskojnë në ujë.
Sipas të dhënave zyrtare të organizatës jofitimprurëse Oceana, të botuara nga CNN, çdo vit përfundojnë në oqeanet e botës 15 miliardë kilogramë mbeturina, si të shkarkosh çdo minutë një makinë plehrash në ujë.
Deti që lag brigjet e Hong Kongut, sidomos zona e portit, është një prej më të ndoturve, me shishe plastike, kuti lëngjesh frutash e karton.