Aktualitet

Roma-Feynoord, mbërrijnë tifozët e parë holandezë!

Edhe dy ditë na ndajnë nga finalja e madhe e Conference League që do të zhvillohet në Tiranë, ku dy skuadra të mëdha, Roma dhe Feyenoord do të përballen në Air Albania.

Kështu duket se kanë mbërritur edhe tifozët e parë të Feyenoord. Ata janë shfaqur në lokalet, në një nga zonat më të populluara të Tiranës.

Më birra në dorë, ata këndojnë dhe festojnë.

Problem për policinë mund të jetë  konsumi i drogave të lehta nga ana e tifozevë holandezë. Duke qenë se kanabisi është i legalizuar në Holandë, nuk është çudi që dy ditët e ardhshme në rrugët e Tiranës të hasen tifozë që tymosin qetësisht kanabis, pa e ditur se në Shqipëri të vënë prangat.

Megjithatë policia i druhet përplasjeve mes tifozerive gjatë mbrëmjes së të mërkurës, në varësi të rezultatit.

Për të qenë të sigurt për çdo skenar, edhe spitalet ku do të dërgohen tifozët në rast përplasjesh janë të paracaktuar. Mësohet se ambulancat do të dërgojnë tifozë italianë tek spitali i traumës dhe tifozë holandezë në QSUT.

Gjithsej 3 mijë forca policore do të jenë në terren të mërkurën, kur pritet të jetë edhe kulmi i lëvizjes së dy tifozerive. Më herët, Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka siguruar se finalja do të jetë një ditë feste dhe se nuk ka vend për panik për qytetarët e Tiranës.