Live From Tirana

Rrëfehet italiani Valerio Perna që iu deshën vetëm 1 javë për të lënë vendin e tij e për të jetuar në Shqipëri!

Ai është italian por ka zgjedhur me dëshirën e tij të plotë të jetojë dhe të punojë në Shqipëri. E kemi fjalën për Valerio Perna, me profesion pedagog dhe arkitekt. Sot Valerio ishte i ftuar në emisionin “Live from Tirana” për të na folur se si ai vendosi të lërë Italinë për Shqipërinë. Si nisi gjithçka?

Bëra studimet e mia në Romë dhe jetova 1 vit në Holandë. Më pas më erdhi një mundësi për punë në Shqipëri, bëra një intervistë por ende nuk kisha një përgjigje. Më vonë më erdhi një email dhe më thanë nësa isha gati të nisja punë dhe të jetoja në Shqipëri. U përgjigja pozitivisht sepse isha i interesuar dhe brenda 1 jave vendosa që do të qëndroja këtu.

A ka qenë e vështirë ky rrugëtim për Valerion?

Ishte interesante jo e vështirë sepse njerëzit këtu janë shumë të mirë. Besoj se fakti që kam mësuar gjuhën më ka ndihmuar me integrimin. E di që edhe shqiptarët e kuptojnë italishten, ishte një mundësi për mua të mësoja një gjuhë tjetër dhe ku mund ta mësoja më mirë se në Shqipëri. Siç e thash jam arkitekt, pedagog dhe drejtues i një njësie në fushën e inovacionit, po punojmë për të përmirësuar këtë fushë në Shqipëri si dhe kemi marrëdhënie me universitetet shqiptare. Unë kam ardhur në Shqipëri në tetor të vitit 2018 dhe pas 1 jave kam vizituar Razmën, Valbonën dhe Thethin.

Si t’u duk gjuha shqipe?

Është gjuhë e veçantë. Unë e mësova vetëm sepse studentët dhe kolegët e mi ishin shqiptarë. Komunikimi në fillim ishte anglisht dhe italisht. Bëra gjimnazin klasik në Itali dhe gjuhët që mësoja aty nga ana gramatikore kishin një ngjashmëri me shqipen. Fakti që jetoj dhe punoj këtu mundohem të flas edhe me dialektin tuaj.(qesh)

Sa ndryshon Roma nga Tirana?

Ndryshojnë përmasat e qytetit si dhe popullsia. Por ka shumë të përbashkëta me Tiranën. Fakti që njerëzit janë fantastik, janë të qejfit siç janë edhe në Romë. Roma nuk është Milano, unë jam romak dhe kam dëshirë ta them si gjë. Italianët e Italisë së Mesme janë njësoj si shqiptarët, duan të rrijnë së bashku, të ikin nëpër party. Këtu në Tiranë më pëlqen që gjithçka e ke afër. Roma është një metropol dhe duhet të bësh disa kompromise. Tirana ka një histori. Situata urbane gjithashtu është shumë e ngjashme me Tiranën.