Rajoni

Rregullimi i çmimeve të naftës në Kosovë, qeveria publikon udhëzimin!

Qeveria e Kosovës sot miratoi udhëzimin administrativ për rregullimin e çmimeve të naftës e benzinës. Ministrja e Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se “udhëzimi ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorit e të konkurrencës, si dhe shmangien e çrregullimeve në treg”.

Ministrja Hajdari nuk përcaktoi çmim maksimal të lejuar për naftën ndërsa aktualisht një litër shitet mbi 1.91 euro në treg. Bazuar në të dhënat zyrtare të Doganës e Administratës Tatimore të Kosovës, ka mospërputhje të çmimeve me lëvizjet që ndodhin në tregjet botërore.

Rreth dy javë më parë, tregtarët iu drejtuan me një shkresë kabinetit qeveritar të kryeministrit Albin Kurti, duke kërkuar të ruhet ekonomia e tregut të lirë e që të paktën, çmimi maksimal të jetë 3% për shitje me shumicë dhe 12 për qind për atë me pakicë.

Për shkak të rritjes së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, aktualisht, nga çdo litër naftë dhe benzinë të shitur, qeveria e Kosovës mbledh rreth 64 centë apo 12 më shumë nga sa grumbullonte para krizës globale.

Sipas tregtarëve, nëse qeveria dëshiron të mbrojë konsumatorët, duhet të ulë akcizën dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për naftën, sikurse kanë bërë vendet e tjera të rajonit e po ashtu të Bashkimit Europian.

Subjekti opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe importuesit kanë kërkuar që për naftën të reduktohet akciza e Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), në mënyrë që të mundësohet ulja e çmimeve. Biznesi kosovar paralajmëroi se po rrezikonte të falimentonte nëse sërish aplikohet një tarifë e ngjashme për fitim, siç pati vendosur për periudhën 3 mars-31 maj.

Më 1 mars, Prishtina zyrtare doli me vendimin që të fiksonte çmimet maksimale të shitjes apo përqindjet tregtare me shumicë dhe pakicë, duke i luhatur mes 4 e 6 për qind. Në tregjet ndërkombëtare, çmimet dhe kërkesa për naftë janë rritur pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë, më 24 shkurt.