Aktualitet

Rrëmbimi i Jani Prengës, Gjykata e Posaçme dënon me burgim të përjetshëm Festim Bexhdilin

Gati 3 vite nga zhdukja e Jani Prengës, Gjykata e Posaçme dënon me burgim të përjetshëm Festim Bexhdilin, të shpallur fajtor për rrëmbimin dhe zhdukjen e tij. Trupi i Prengës nuk është gjetur ende.

Vendimi i Gjykatës së Posaçme plotësoi kërkesën e SPAK, duke dënuar me burgim të përjetshëm Bexhdilin, kopshtarin e kompleksit “Golden” në Shijak, ku u filmua për herë të fundit trupi i Prengës. Porositësit e rrëmbimit, si edhe ata që dyshohet se rrëmbyen e torturuan për vdekje Prengën, janë ende në arrati.

Sipas prokurorëve, Elida Kaçkini e Behar Dibra, Jan Prenga u rrëmbye me porosi të Dritan Rexhepajt, aktualisht i burgosur në Ekuador dhe Gentian Funiqit. Qëllimi ishte shtrëngimi i vëllait të Prengës në Angli për të kthyer një sasi kokaine të vjedhur në Portin e Portsmouth, ku ishte trafikuar nga Ekuadori.

Sipas SPAK, ndonëse nuk është mundur të zbërthehet telefoni i Festim Bexhdilit, nga lëvizja e qelizës telefonike, rezulton se sapo ka ndodhur rrëmbimi në Kamëz, kopshtari ka udhëtuar nga Sukthi drejt kompleksit në Shijak.

Më tej, nga këqyrja e kamerave të sigurisë, rezulton se Bexhdili ka gjetur një kazmë dhe lopatë, për të përgatitur vendin ku është fshehur trupi i viktimës. “I pandehuri nuk ka treguar të vërtetën dhe as sot nuk e tregon atë, ndonëse ka dijeni për vendin ku është fshehur trupi i Prengës”, pati deklaruar gjatë pretencës prokurorja Kaçkini.

Sipas prokurorisë, edhe pse nuk është gjetur trupi i viktimës, ai konsiderohet i vdekur, pasi nga analiza e pamjeve filmike rezulton se trupi për orë të tëra nuk jep asnjë shenjë jete, ndërsa njollat e gjakut të gjetura në garazh, janë përputhur me ADN-në e nënës së tij.

Sipas SPAK, organizatorët e krimit janë Martin Bleta e Korado Kështeja, ndërsa personat që vunë në jetë planin Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar. Dosja ndaj tyre dhe dy porositësve është pezulluar me një vit në Gjykatën e Posaçme për shkak të mosarrestimit të tyre.