Aktualitet

Rreth 63 mijë fermerë të pajisur me NIPT në vend!

Fermerët të cilët shesin produktet e tyre po regjistrohen në zyrat rajonale tatimore duke u pajisur me numër identifikimi të personit të tatueshëm (NIPT). Në këtë moment, fermerët zotërojnë personalitet juridik, e si të tillë janë objekt i regjistrit statistikor të ndërmarrjeve që INSTAT mirëmban dhe përditëson.

Sipas raportit të fundit të publikuar nga Instituti i Statistikave, INSTAT, numri i fermerëve të pajisur me NIPT në fund të vitit 2021 është rreth 63 mijë, më saktësisht, 62 mijë e 922, duke shënuar një rritje me 28.3% krahasuar me vitin 2020.

Referuar të dhënave zyrtare të INSTAT-it, të regjistruarit në Bashkinë Lushnjë zënë 11% të fermerëve aktivë të pajisur me NIPT, ndërsa 27.2% e fermerëve ushtrojnë aktivitetin ekonomik në ferma mikes. Ndërkohë, 6 mijë e 807 ose 10.8% e fermerëve pronarë apo drejtues janë gra.

Prej disa vitesh, qeveria shqiptare është zotuar të kthehet në një partnere të fermerit në vend. Menjëherë, me kryerjen e reformës territoriale administrative e me krijimin e 61 bashkive të reja në territor, që janë njësi administrative dhe ekonomike, rilindjes në fshat, ekzekutivi i kushtoi paketën më të madhe financiare.

Nga 130 mijë ha tokë, afërsisht hektarë që ishin nën ujë në vitin 2013, sot llogariten 225 mijë hektarë. Po ashtu, qeveria ka hartuar programe financimi për stimulimin e pikave të grumbullimit, frigoriferëve dhe linjave të përpunimit.

Nga ana tjetër, eksportet e produkteve bujqësore në 8 vite u rritën me katër fish ndërsa parashikohet që në fund të 2025-ës ato të shkojnë në 1 miliard dollarë. Vetëm nga skema e mbështetjes së subvencionimit të karburanteve, pritet të përfitojnë më mijëra sipërmarrje në fushën e bujqësisë, të cilët tashmë janë të regjistruar dhe kanë një NIPT. Kjo pritet të ndikojë pozitivisht edhe në formalizimin e fermerëve.