Aktualitet

Rrethohet selia e Partisë Demokratike, tashmë një skenë krimi!

Me përfundimin e protestës, e cila zgjati për më shumë se 3 orë, tashmë selia e Partisë Demokratike është rrethuar me shiritin e verdhë të policisë, pasi zona tashmë konsiderohet skenë krimi.  Theksojmë se nga dhuna e ushtruar nga protestuesit gjithçka është shkatërruar. Tashmë kanë mbetur dyer të thyera dhe shumica e objekteve janë të shkatërruar.

Dëmet materiale janë të shumta, ndërsa disa nga protestuesit mbetën edhe të lënduar.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar kryerja e veprimeve procedurale, në selinë e Partisë Demokratike, për këqyrjen e çdo ambienti ku u zhvillua ngjarja që degradoi në përdorimin e dhunës, njofton policia, në deklaratë për mediat.

Duke filluar nga jashtë, deri në të gjitha ambientet e brendshme të selisë, do të bëhet këqyrja dhe do të mblidhet çdo provë e paligjshmërisë që karakterizoi ngjarjen e dhunshme. Do të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale të gjitha provat, në funksion të hetimit, me qëllim zbardhjen e plotë të të gjithë dinamikës së kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorëve të përfshirë ne akte dhune, për të garantuar nxjerrjen e tyre pa dallim, para drejtësisë.

Shtojmë gjithaashtu se së fundmi ka mbërritur edhe prokurorja e Tiranës, Elizabeta Imeraj e cila u shpreh se do të ndiqet çdo situatë dhe se përgjegjësit do të përgjigjen para ligjit.

Në këtë protestë, kemi parë përdorimin e dhunës nga shtetas të ndryshëm, që kanë përdorur leva, çekiçë dhe sende të tjera rrethanore për të hapur dyert e selisë blu. Persona nga brenda selisë janë përgjigjur me gaz lotsjellës. Disa qytetarë kanë mbetur të lënduar.