Aktualitet

Rrezik përmbytjesh në qarqet Lezhë, Berat, Vlorë e Gjirokastër. Paralajmërimi vjen nga IGJEUM!

Gjatë natës së të dielës dhe fillimjavës tjetër priten reshje intensive shiu, të cilat do të jenë më të përqendruara në veri-perëndim dhe në jug të vendit. Në qarqet Lezhë, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe për pasojë priten rrëshqitje të dherave. Në të gjithë territorin parashikohet rritje e prurjeve ujore në lumenj që mund të shkaktojnë përmbytje të lokalizuara. 48 orët e ardhshme priten reshje shumë intensive në qarkun e Shkodrës dhe intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër.

PARASHIKIM I RREZIKUT NGA PËRMBYTJET

Në zonat urbane pothuajse në të gjithë territorin e vendit, si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve, mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, kryesisht përgjatë së hënës, në varësi të gjendjes së kanalizimeve. Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve më të fundit hidrologjike dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e rrezikut të përmbytjeve.

PARASHIKIMI I MOTIT ORËT NË VIJIM!

Për orët në vijim dhe përgjatë ditës së hënë parashikohen reshje shiu shumë intensive në qarkun e Shkodrës dhe disi më të moderuara deri lokalisht në qarqet Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër. Në shumicën e qarqeve të tjera parashikohet të ketë reshje mesatare që mund të shfaqen në formë shtrëngatash. Në lartësitë mbi 1000 m mbi nivelin e detit do të ketë dëborë.

TEMPERATURAT

Të hënën temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 11 / 13 °C
në vendet e ulëta: 10 / 13 °C
në vendet malore: 4 / 8 °C

ERA

Gjatë 24 orëve të ardhshme era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet e fortë.