Aktualitet

Rrëzimi i rezolutës për Srebrenicën, Berisha: “Akti më i turpshëm në 30 vjet histori!”

Një ditë më parë, Kuvendi rrëzoi rezolutën e Tritan Shehut për dënimin e genocidit serb në Srebrenicë, ish-kryeministri Berisha tha sot se “në Parlamentin e Shqipërisë, ndodhi akti më i rëndë, më i turpshëm dhe më i pabesueshëm në historinë 30 vjeçare të këtij vendi”.

Refuzim për të dënuar me rezolutë një genocid të konfirmuar nga dy gjykata ndërkombëtare: Gjykata e Krimeve të Luftës për ish-Jugosllavinë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Mbi bazën e vendimit të këtyre gjykatave, vendet e lira në tërësi kanë kaluar në Parlament rezoluta ku dënojnë genocidin serb në Srebrenicë, si barbaria më e madhe pas Luftës së Dytë Botërore në Europë.

E ka bërë këtë Parlamenti Europian, Kongresi Amerikan, të tjera parlamente të Europës. Për hir të së vërtetës e ka bërë edhe Mali i Zi, vend ku jeton një pjesë e konsiderueshme serbe. Për hir të së vërtetës, jo si genocid, por si masakër në vitin 2019 e ka dënuar dhe vetë Parlamenti i Serbisë.

Shqipëria jo që nuk e ka dënuar, por shkalla e lartë e kriminalizimit të pseudo-maxhorancës së sotme, bëri që dje Shqipëria të refuzojë një rezolutë për dënimin e genocidit në Bosnjë Hercegovinë.

Për Berishën, “pretendimet e Edi Ramës dhe Taulant Ballës janë trillime të neveritshme të personave të inkriminuar në çdo qoshe e skaj të psikologjisë së tyre”.

Rezoluta ka ndjekur normën e procedurës normale për rezolutat, as nuk është e papritur as e befasishme, as emergjente. Për miratimin e rezolutave, procedurën nuk e ka në dorë pakica, procedurën e vendos shumica.

Rezoluta është dorëzuar nga deputeti i PD-së, Tritan Shehu, konform të gjitha rregullave. Rezoluta është shqyrtuar në Byronë Parlamentare, u refuzua nga maxhoranca, por rregulli kërkon që nuk duhet të jetë qeveria që e refuzon, kërkon që të jetë Parlamenti i detyruar ta votojë për ta pranuar ose jo.

Edi Rama dhe Taulant Balla mashtrojnë kur thonë se nuk kanë votuar kundër rezolutës. Vota e tyre ishte vota më e egër kundër një rezolute. Ata që përpiqen të mbulojnë qëndrimin e tyre të shëmtuar, mbrojtjen që i bënë genocidit dje, kryejnë vepër penale në përputhje me ligjet që dënojnë mohimet e genocidit. Edi Rama deklaroi dje se fajin e ka Saliu, duhet të jesh në stadin e primitivitetit që dhe një akt të tillë të ndërgjegjes individuale t’ua kalosh të tjerëve.