Aktualitet

Rrëzohet kamioni në Vlorë, shoferi dhe një punëtor humbën jetën!

Një aksident i rëndë rrugor në Vlorë, sot i ka marrë jetën dy personave. Ndërsa po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes me pasoja fatale, paraprakisht mësohet se një kamion doli nga rruga e për pasojë gjeti vdekjen drejtuesi i automjetit, si dhe një punëtor, që mbeti poshtë një masivi inertesh e fatkeqësisht nuk mundi t’iu mbijetojë dëmtimeve të shumta.

Sipas një njoftimi paraprak të policisë së Vlorës, ngjarja ndodhi në orën 10:40, në Bypassin Orikum Kaninë, ku duke punuar, kamioni u rrëzua. Pjesa e përparme u shkatërrua plotësisht, ndërsa trupi i mjetit ka mbetur në mes një kanali, në anë të rrugës.

Dyshohet se aksidenti ndodhi për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara, pasi drejtuesi i kamionit së bashku me pasagjerin ngarkuan kamionin me zhavorr dhe ishin duke zbritur nga zona e Kaninës për në Orikum.

Nuk dihet nëse pësoi ndonjë defekt apo nuk funksionuan frenat, por mësohet se nga frika se mos dilte nga rruga e përfundonte poshtë në humnerë, drejtuesi i kamionit u kthye në mes të rrugës dhe u përplas me anën e shkëmbit.

Ndërkaq, përplasja ka qenë shumë e fortë sa të dy trupat dolën nga xhami i kamionit, ndërsa ngarkesa me zhavorr i zuri nën të, duke i mbuluar.

Viktimat janë të moshave 28 e 32 vjeç, me banim në Lushnje e Kavajë. Grupi hetimor në vendngjarje po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Njoftimi i Policisë:

Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë më parë, ku në bypasin Orikum-Kaninë, është rrëzuar një kamion, sqarojmë se kanë ndërruar jetë drejtuesi i kamionit shtetasi A. B., 32 vjeç, banues në Kavajë dhe pasagjeri në kamion shtetasi K. K., 28 vjeç, banues në Lushnje. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.