Vetëm 6 muaj pas marrjes së detyrës, qeveria e koalicionit bullgar e kryesuar nga Kirill Petkov është rrëzuar! Mocioni i mosbesimit i bërë sot në parlament nga opozita është votuar me 123 vota pro dhe 116 kundër. Sipas tyre, qeveria ka “dështuar në politikën financiare dhe ekonomike”, duke u bërë qeveria e parë në historinë demokratike të Bullgarisë që rrëzohet me një mocion mosbesimi. Kështu, gjasat janë 6.5 milionë banorë të shkojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Rrëzimi i qeverisë sjell pengesë edhe për vendimmarrjen e heqjes së vetos për Maqedoninë e Veriut.
Kujtojmë se votëbesimi është dorëzuar nga GERB. Argumenti i grupit më të madh opozitar ishte “dështimi i qeverisë në politikat financiare të vendit”.
Presidenti duhet të nisë konsultimet me partitë në Asamblenë Kombëtare. Më pas vijon prezantimi i mandatit të parë hetimor përpara forcës më të madhe politike “Vazhdojmë ndryshimin”. Ata kanë shtatë ditë kohë për të mbledhur shumicën.
Nëse mandati kthehet, kreu i shtetit sërish nuk ka një afat të caktuar për konsultime. Edhe partia e dytë që do të marrë mandat, në këtë rast GERB-i, do të ketë shtatë ditë. Nëse e kthejnë mandatin, presidenti Radev do të ketë 7 ditë kohë për të zgjedhur palën e tretë për të tentuar formimin e kabinetit.
Kur shterohen mundësitë, caktohet një qeveri kujdestare dhe deri atëherë, qeveria në dorëheqje do të drejtojë vendin.
Nisur nga procedurat, ekspertët vlerësojnë se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen së shpejti në gusht, por për shkak të sezonit të pushimeve, votimi pritet të mbahet në shtator ose tetor.
Qeveria e Petkov nuk arriti t’i mbijetonte mocionit të mosbesimit të dorëzuar në Kuvend nga GERB për shkak të dështimeve ekonomike të qeverisë.
Qeveria e 99-të e Bullgarisë me kryeministër Kiril Petkov u zgjodh më 13 dhjetor 2021. Para formimit të saj, vendi shkoi në zgjedhje tri here, një rekord në historinë e Bullgarisë.
Pengesë e madhe ishte dhe bllokada e bisedimeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, të cilat Sofja kishte vënë veton për mospërputhjen e saj me Marrëveshjen e Fqinjësisë të vitit 2017, gjuhën e urrejtjes, shkatërrimin e monumenteve kulturore bullgare dhe falsifikimin e historisë bullgare.
“ Ishte nder për mua të drejtoja një qeveri që u rrëzua nga Peevski , Borisov , Trifonov dhe Mitrofanova, ambasadori i Rusisë në Bullgari”, tha ish- kryeministri Kiril Petkov pas votimit të mosbesimit që kaloi sot me votat e 123 deputetëve, sipas medias bullgare.
“ Ky votim është vetëm një hap i vogël në një rrugë shumë të gjatë. Ajo që ata (opozita) nuk kuptuan ishte se në këtë mënyrë nuk mund ta fitojnë popullin bullgar. Unë premtoj se do të vazhdojmë këtë betejë për të fituar vendin tonë. Dhe një ditë do të kemi Bullgarinë pa njerëz të sunduar nga hija, pa mafia, një vend normal, një vend të suksesshëm evropian. Faleminderit!” , tha Petkov në fjalimin e fundit si kryeministër.